Gjykatësit kundër pr/ligjit për KLD-në

21/07/2014 00:00

Nëpërmjet një letre drejtuar kreut të komisionit të ligjeve por edhe delegacionit të Komisionit Eurupian, Unioni i Gjyqtarëve kundërshton projektligjin për ndryshimet në ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Unioni i Gjyqtarëve sheh me shqetësim ndryshimet në ligj për nenin 5 fraksion B dhe ku KLD-së i jepet e drejta të vendosë pezullimin e gjyqtarit nga detyra në rastin kur rregjistrohet proçedim ndaj tij.

Në një intervistë për Top Channel, kryetari i unionit, Ervin Metalla shprehet se kjo dispozitë vë në rrezik pavarësinë e gjyqësorit.

“Unioni ka shprehur shqetësim për këtë dispozitë dhe duam t’i vijmë në ndihmë politikës në procesin ligjvënës, në mënyrë që të ruhen standardet. Pavarësia e gjyqësorit ekspozohet në mënyrë delikate ndaj ndërhyrjeve të palëve të tjera. Por edhe sikur të mos mendonim për pavarësinë e gjyqësorit, kjo dispozitë nuk i shërben luftës kundër korrupsionit. Sepse nëse një gjyqtar do të pezullohej, ai do të merrte vesh se ndaj tij është hapur proçedim penal dhe do të mund të ndikonte në hetime. Me këtë dispozitë krijohen standarde jo të barabarta për prokurorët dhe gjyqtarët”, deklaron Metalla.

Për unionin, ky ndryshim ligjor prek edhe Kushtetutën. “Nëse kjo dispozitë miratohet, ne, duke menduar që nuk është në përputhje me Kushtetutën, mund ta dërgojmë në Kushtetuese, sepse ne besojmë në funksionimin e shtetit të së drejtës”, nënvizon Metalla.

Unioni shprehet se do të ishte e këshillueshme që ky projektligj të ishte pjesë e nismës për reformë në drejtësi që prek shumë fusha dhe ligje dhe adreson siç duhet rekomandimet e raport-progreseve të Bashkimit Europian ndër vite.

Top Channel