PD: Qeveria braktisi rrugën e Kamzës

19/07/2014 00:00

Përfaqësues të Partisë Demokratike ishin me banorë të Kamzës për të ngritur zërin kundër mungesës së vëmendjes nga qeveria për rindërtimin e një pjese të aksit rrugor që lidh Kamzën me Fushë-Krujën.

Koordinatori demokrat, Ervin Salianji dënoi jo vetëm vonesën e ndërhyrjes së qeverisë për rikonstruksionin e kësaj pjese të aksit kombëtar, por foli edhe për diskriminim politik.

“Ky është një tjetër projekt i kontraktuar dhe i lënë gati, por projekti nuk po avancon,  pavarësisht se Kryeministri thotë se problemet e financimit janë të zgjidhura. Për shkak të paaftësisë, për shkak të diskriminimit politik apo për shkak të neglizhencës deri në papërgjegjshmëri, në këtë rrugë nuk po punohet dhe është kthyer në një burim aksidentesh. Është kthyer në një shqetësim për banorët dhe qytetarët e Kamzës, por edhe për të gjithë qytetarët e veriut të Shqipërisë apo edhe të Kosovës të cilët kalojnë përmes kësaj rruge për të ardhur në Tiranë. Vlerësimi i punës së qeverisë nuk matet nga cilësia e fotove në konferencat propagandistike të sukseseve imagjinare, por vlerësimi i punës së qeverisë matet nga rritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe nga përmirësimi i cilësisë së jetës të tyre”, tha Salianji.

Nga ana e tyre banorët paralajmëruan se nëse nuk do të ketë ndërhyrje të menjëhershme në shenjë proteste ata do të bllokojnë aksin kombëtar Kamëz-Fushë Krujë.

Top Channel