
Nënshkrimi kontratave fituese për të përfituar fonde nga skema investimeve në bujqësi vijoi në Komunën e Poshnjes në rrëthin e Beratit. Përfituesit janë fermerë të cilët duan ta avancojnë përpunimin e ullirit, verës dhe qumështit.
Këto kontrata kryeministri Edi Rama i quajti një moment i rëndësishëm për bujqësinë falë një politike të re zhvillimi.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne nuk mbështesim më mbijetesën, nuk shpërndajmë më lëmoshë, nuk e çojmë më asnjë qindarkë të buxhetit të shtetit në drejtim të paditur, edhe pse e rritëm 70 përqind fondin e mbështetjes për bujqësinë për këtë vit jemi të vetëdijshëm që duhet akoma më shumë dhe nuk mund të përballojmë dot në këto kushte sot aq shumë kërkesa sa kanë ardhur. Vitin e ardhshëm ju siguroj që do ta rrisim më tej këtë fond, do të heqim diku tjetër dhe bujqësinë dhe fermerin nuk do t’i lëmë asnjëherë vetëm”, tha kryeministri Rama.
Në këtë zonë ku janë ndërtuar 23 hektarë me serra, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve Rama u ndal në çështjen e çmimit në naftës.
“Ne kemi vendosur që të gjitha këto serra dhe të gjithë ata që i kanë ndërtuar dhe i kultivojnë t’i mbështesim me lëndën djegëse në mënyrë të drejtpërdrejtë për të bërë të mundur që çdo pikë naftë të cilën qeveria financon fermerin të shkojë tek prodhimi dhe jo në kanalet e korrupsionit”, shtoi Rama.
Duke e quajtuar tokën një pasuri dhe theksuar se nuk ka bujk në Europë që thjesht siguron bukën e gojës falë bujqësisë, Kryeministri i drejtoi një mesazh të rinjve të cilët i nxiti të përfshihen në të punuarit e tokës dhe të qëndrojnë larg bilardot dhe lojërat e fatit dhe t’i kthehen punës.
“Shpresoj shumë që trasnformimi i bujqësisë do të sjellë edhe një transformim të marrëdhënies së të rinjëve me tokën dhe shtëpinë, për t’i mbajtur pranë tokës që të bëhen të pasur me tokën e tyre duke bashkuar mendjen, krahët dhe tokat e tyre dhe duke shkuar më përpara nga pika ku ka mbërritur babai me nënën”, u shpreh Kryeministri.
Ndërsa Ministri Bujqësisë Edmond Panariti tha se qeveria është duke përgatitur një skemë pilot për sigurimin e prodhimit të fermerëve në rastet e fatkeqësive natyrore, sikurse edhe vënien në jetë të një skeme me vlerë miliona euro për këtë zonë që synon përmirësimin e cilsësisë së produkteve të ullirit.
Top Channel