Përfshirja e rekomandimeve të PDIU-së në draftin final të reformës territoriale ka shkaktuar reagimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Kryetari i saj, pjesë e mazhorancës qeverisëse, Vangjel Dule tha se ndarja është klienteliste dhe politike dhe sipas tij ajo është e papranueshme.

“Nën ankthin e garantimit të artimetikës së cilësuar parlamentare që kërkohet nga një ligjvënie e tillë, në tentativë bashkëpunimesh fluide kësaj reforme i bashkohen së fundmi edhe elemente të spikatura klienteliste dhe elektorale. E papranueshmja është e papranueshme. Nuk mund të imponohet një realitet absurd që edhe me votim mund të tentohet të imponohet nuk do të pranohet dhe nuk do të respektohet”, tha Dule.

Dule deklaroi se është shkelur parimi i respektimit të minoriteteve, ku përveçse tha se është në kontakt me ndërkombëtarët për këtë çështje, drejtoi një apel.

“I drejtohem Kryeministri Rama që të mos e privojë këtë reformë madhore dhe strategjike nga parimësia, standardet, serioziteti dhe fryma europiane. Natyrisht, Himara është rasti më i spikatur ku tentohet me ndarjen e re të shkelen të drejta themelore, të trazohen me qëllime të mbrapshte ekuilibra historikë dhe kësisoj të krijohen probleme aty ku nuk ka”, shtoi Dule.

Por megjithë rezervat e qarta për reformën elektorale, kreu i PBDNj-së nuk nxitoi të kërcënojë me dalje nga koalicioni, por kësaj pyetje iu përgjigj me një shprehje në anglisht për të thënë se hapat do të merren njëri pas tjetrit.

PBDNJ ka dy deputetë, kryetarin Vangjel Dule dhe deputetin Andrea Marto, i cili ka dalë nga listat e kandidatëve të PS. Varianti përfundimtar i reformës u votua nga Komisioni me kontributin e PDIU-së.

Kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, u shfaq i kënaqur që komisioni ka marrë parasysh propozimin për të përfshirë në ndarjen e re territoriale Bashkinë e Konispolit, e cila popullohet kryesisht nga shqiptarë me origjinë çame.

Në variantin paraprak, Konispoli ishte pjesë e Bashkisë së Sarandës. Nga bashkitë sensitive për të cilat ka pasur komente dhe që nuk ka ndryshuar as në variantin përfundimtar është Himara, e cila mbetet e bashkuar me Lumin e Vlorës. Kjo mund të sjellë votën kundër të aleates qeveritare.

Megjithatë, në këtë rast, qeverisë duket se i intereson më shumë vota pro e PDIU-së, e cila vazhdon ta cilësojë veten si parti opozitare, ta quajë të padrejtë miratimin e reformës pa Partinë Demokratike, por edhe të sqarojë pozicionin e saj.

“Nëse dikush do të na pyeste në sot se pritëm kaq gjatë, përgjigja është shumë e thjeshtë, ne pritëm që dy partitë kryesore të arrinin një konsensus. Nëse dikush do të na pyeste se pse nuk pritëm më, atëherë çfarë duhet të bënim? Të linin qytetin e Sarandës të ndarë në tre bashki, të linim Delvinën të destinuar në ‘vdekje ekonomike’, të linim pjesën e Çamërisë, të mbetur në Shqipëri, të humbiste integritetin? Sigurisht që jo dhe prandaj jemi këtu”, u shpreh Shpëtim Idrizi.

Duket se varianti i votuar të enjten në Komision do të mbetet varianti përfundimtar megjithëse mazhoranca shprehet pret deri më datë 31 korrik propozimet për reformën.

Top Channel