“Të hetohen transaksionet e Fazliç”

17/07/2014 00:00

Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, i ka kërkuar qeverisë të hetojë transaksionet financiare për blerjen e tokave në Porto Romano nga vazja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe biznesmeni boshnjak, Damir Fazliç.

“Sot kam një pyetje për të dyja autoritetet shtetërore, përfshirë kryeministrin dhe ministrin e Financave: Kur do të vihen nën kontroll transaksionet shumëvjeçare të kryera nga Damir Fazliç dhe Argita Malltezi në territorin e Republikës së Shqipërisë? Kur, organet tatimore do të trokasin në dyert e këtyre dy personave në aktivitet deri në vitin 2013, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për të verifikuar çdo transaksion bankar të kryer në këtë vend dhe, natyrisht, për të llogaritur mbi to, në rast se nuk ka ndodhur, të gjitha detyrimet ligjore”, u shpreh deputeti Erion Braçe.

Ditët e fundit, rrjeti investigativ BIRN ka publikuar fakte që, sipas tij, dëshmojnë se Argita Malltezi dhe njerëz të afërt me ish-kryeministrin kanë përfituar 1,75 milionë euro nga shitblerja e tokave në zonën e Porto Romanos, pasi kishin informacion paraprak se zona do të shndërrohej në park energjitik.

“Kanë kaluar 300 ditë të mjaftueshme për të vënë nën kontroll këto transaksione, por edhe transaksione të tjera ende të pazbardhura e të pazbuluara në këtë vend”, shtoi më tej Braçe.

Por, veç hetimeve për këto transaksione, kreu i Komisionit të Ekonomisë i ka kërkuar qeverisë, që të ndërhyjë për të ndryshuar kontratat monopol të koncesioneve në disa shërbime kryesisht fiskale, të lidhura nga qeveria e mëparshme.

“Brenda këtij viti, qeveria duhet t’i bëjë të dyja, edhe të rishikojë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat dhe, në mënyrën më të kujdesshme, pa kosto shtesë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të rishikojë këto kontrata qeveritare”, u shpreh kreu i Komisionit të Ekonomisë, Braçe.

Pak ditë më parë, ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj tha se, nëse qeveria do të marrë vendim për të prishur koncesionet, që sipas tij janë dhënë në mënyrë jotransparente nga qeveria e kaluar, kostoja për buxhetin mund të shkojë deri në 250 milionë euro.

Top Channel