Sot harta finale e ndarjes territoriale

17/07/2014 00:00

As 39 dhe as 47, por 61 bashki. Kaq njësi vendore do të krijohen nga ndarja e re territoriale, konfirmojnë për Top Channel burime nga komisioni i kësaj reforme.

Ky ndryshim mesa duket erdhi pas propozimeve të PDIU-së, pranimi i të cilave bëri që kjo forcë opozitare të zyrtarizojë bashkëpumimin me mazhorancën. Shpëtim Idrizi është votuar në Kuvend si anëtar i komisionit vetëm pak pasi këtë lëvizje e konfirmoi ministri Bledi Çuçi.

“Një pjesë e opozitës, PDIU, do të jetë pjesë e komisionit parlamentar. Reforma ka nevojë të jetë e tillë që t’i shërbejë shqiptarëve në plan afatgjatë. Përfshirja e zotit Idrizi është një hap drejt konsensusit me opozitën. Mos harrojmë se zoti Idrizi është pak a shumë edhe në sinkron me kërkesën e PD për më shumë se 39 njësi vendore”, deklaroi Çuçi.

Bashkëpunimin me këtë parti opozitare, Çuçi dhe Fino ia bënë prezent edhe trupës diplomatike në Tiranë, në prezencë edhe të ambasadorëve, vendet e të cilëve janë donatorë për hartimin dhe zbatimin e reformës territoriale.

Takimi i Çuçi dhe Finos me ambasadorët i paraprin mbledhjes së komisionit të reformës territoriale këtë pasdite, ku do të miratohet edhe varianti final i hartës.

Top Channel