
Në Kaliforninë e përballur me thatësirën më të ashpër të 40 viteve të fundit, zyrtarët kanë vendosur masa drastike për të shmangur shpërdorimin e ujit.
Banorët që harxhojnë ujë pa kriter do të përballen me gjoba që arrijnë deri në 500 dollarë në ditë. Një nismë e tillë synon të mos çohet dëm uji, sidomos nëpër fusha apo lavazhe makinash.
Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve për reduktimin e përdorimit të tij me 20%, deri në muajin maj jo vetëm që nuk pati tkurrje, por përkundrazi konsumi i ujit u shtua me 1 për qind. Rreth 75% e ujit të përdorur në Kaliforni është për qëllime bujqësore.
Gjobat, nga sa pohojnë zyrtarët, do të përdoren vetëm në rastet e shpërdorimit të tij jashtë ambjenteve të brendshme.
“Qëllimi ynë është t’i japim një djegie të lehtë atyre që nuk po e marrin thatësirën seriozisht”, tha presidentja e Bordit për Kontrollin e Burimeve Ujore, Felicia Marcus.
Votimin që mundësoi këtë masë jo të zakonshme, Marcus e përshkroi si historike dhe të papreçedentë sepse bordi, sipas saj, po përpiqet të tregojë se nuk janë vetëm fermerët e Kalifornisë ata që vuajnë nga kapriçot e motit.
Kufizimet, të cilat do të hyjnë në fuqi në fillim të gushtit, mund të kursejnë mjaftueshëm ujë për të furnizuar 3.5 milionë banorë në vit.
Top Channel