
Përpara raundit të ri të sulmeve ajrore, Izraeli paralajmëroi mijëra banorë në veri dhe në lindje të Gazës të largohen prej andej. Nisma egjiptiane për armëpushim dështoi një ditë më parë për shkak se nuk arriti të ndalë lëshimin e raketave të Hamasit në drejtim të shtetit hebre.
Ky i fundit, që të martën shënoi vdekjen e parë të konfliktit disaditor, pretendon se në mësymjen e mbrëmjes ka vrarë disa militantë të lartë të lëvizjes islamike. Bilanci i jetëve të humbura në radhët e palestinezëve tani shënon 204, përfshirë edhe një foshnje 5-muajshe.
Izraeli e nisi operacionin e tij në 8 qershor me qëllimin, siç thotë, t’i jepte fund sulmeve me raketa të militantëve palestinezë. Kombet e Bashkuara nënvizojnë megjithatë se shumica e të vrarëve në Gaza janë civilë. 24 orë nga fashitja e përpjekjes së parë për armëpushim, përplasjet mes Izraelit dhe Hamasit kanë nisur të rimarrin tiparet e vjetra. Shteti hebre pretendon se paralajmërimet e tij synojnë shmangien e vdekjeve mes civilëve, por ato pritet të shkaktojnë edhe më shumë frikë, zemërim e paqartësi në Gaza, ku njerëzit ndjejnë se nuk ka më asnjë vend të sigurtë për ta.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netaniahu, përballet me një dilemë të madhe. Anëtarët e krahut të djathtë në kabinetin e tij kërkojnë ofensivë tokësore dhe ai nuk e dëshiron një dobësim të pozitave në politikën e brendshme. Por, me lëvizjet e veta rrezikon shumë. Luftimet në terren mund të shkaktojnë humbje të mëdha, të armiqësojnë aleatët e ta zënë në kurthin e një fushate të gjatë pa një strategji të qartë daljeje prej kësaj situate.
Top Channel