Britani, 660 në pranga për pedofili

16/07/2014 00:00

Mbi 650 persona të dyshuar për akte pedofilie janë arrestuar në kuadër të një operacioni 6-mujor të policisë britanike, që kishte në shënjestër persona me akses ndaj materialeve me abuzim fëmijësh në internet.

Agjencia Kombëtare e Antikrimit, NCA, deklaroi se plot 660 persona kanë rënë në pranga, mes të cilëve doktorë, mësues, ish-oficerë policie dhe punonjës të sektorëve të ndryshëm.

Ndërkohë, mbi 400 fëmijë janë marrë në mbrojtje nga autoritetet. Ekspertët e mbrojtjes së fëmijëve kanë përshëndetur arrestimet, por kanë paralajmëruar se ato mund të jenë vetëm “maja e aisbergut”.

Jim Gamble, ish-drejtor ekzekutiv i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Qendra e Mbrojtjes Online bënë thirrje për hetime të vazhdueshme dhe të imtësishme në këtë drejtim.

Ndërkohë, sekretari i Drejtësisë, Chris Grayling deklaroi: “Dikush që sheh foto të tilla në internet mund të shkojë dhe të bëjë diçka më të rëndë. Kështu që një operacion i tillë është absolutisht jetik për shoqërinë tonë”.

Arrestimet u kryen në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe shumica e personave të ndaluar nuk kishin pasur më parë preçedentë penalë.

NCA deklaroi se 39 nga të arrestuarit kishin të dhëna për krime të tipit seksual. Akuzat për të cilat ata akuzohen variojnë nga ‘zotërimi i materialeve abuzive’ deri tek ‘sulme seksuale serioze’.

Agjencia Kombëtare e Antikrimit theksoi se asnjë nga personat e arrestuar nuk është apo ka qenë pjesë e Parlamentit apo qeverisë. Kjo, pas zërave të muajve të fundit për përfshirjen e elitës politike britanike në një zinxhir pedofilie.

Top Channel