
Në një raport të Shtëpisë së Bardhë tregohet qartazi se qëllimi i Shteteve të Bashkuara gjatë krizës në Ukrainë ka qenë për të mbështetur një Ukrainë demokratike që do të jetë e qëndrueshme, e unifikuar, e sigurt politikisht dhe ekonomikisht, si edhe në gjendje të përcaktojë vetë të ardhmen e saj.
Për këtë arsye, qeveria amerikane mbështet dialogun e vazhdueshëm të ministrave të Jashtëm të Ukrainës, Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, për të bashkëpunuar drejt një armëpushimi të qëndrueshëm nga të gjitha palët në rajonet Luhanskut dhe Donjeckut, në lindje të vendit, që mendohet se do te jetë hapi i parë drejt paqes së qëndrueshme.
Theksin Uashingtoni e vë në çështjen e lejimit të gjithë popullit ukrainas për të marrë vendimet unanimisht në lidhje me të ardhmen e vendit, nëpërmjet një procesi politik demokratik.
Ukraina ka zbatuar një armëpushim të njëanshëm më datë 20 qershor dhe presidenti i saj, Petro Poroshenko propozoi gjithashtu takim me krerët politikë në lindje të vendit, përfshirë edhe separatistët, pavarësisht mungesës së vullnetit të tyre për të respektuar armëpushimin apo për të negociuar.
Nga ana tjetër, Rusia thotë se kërkon paqe, por veprimet e saj nuk përputhen me retorikën e saj. Raporti i SHBA thotë qartazi se nuk ka asnjë dëshmi se mbështetja e Rusisë për separatistët ka mbaruar dhe për më tepër ata vlerësojnë se Moska vazhdon të pajisë militantët e saj me armë të rënda, pajisje të tjera ushtarake dhe vazhdon t’i lejojë ata të hyjnë lirisht në Ukrainë.
Top Channel