Izraeli pranon armëpushimin egjiptian

15/07/2014 00:00

Izraeli ka pranuar një propozim të mbërritur nga Egjipti për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake një-javore në Rripin e Gazas.

Propozimi që bën thirrje për uljen e menjëherëshme të armëve mbërriti pas një sërë takimesh të delegacioneve të nivelit të lartë në Kajro me palëve të përfshira në konflikt. Hamas-i zyrtarisht nuk ka komentuar ende, por krahu i armatosur i tij e cilëson pranimin e këtij armëpushimi si “kapitullim”.

Autoritetet palestineze njoftojnë se të paktën 192 persona, mes të cilëve edhe gra e fëmijë kanë gjetur vdekjen që nga nisja e bombardimeve izraelite të martën e kaluar.

Kombet e Bashkuara njoftojnë se të paktën tre të katërtat e viktimave të përplasjes së fundit janë civilë. Mbi 1400 persona janë plagosur dhe mijëra të tjerë kanë lënë banesat në Gaza.

Tensionet u rindezën pas rrëmbimit e më pas gjetjes të vrarë të tre adoleshentëve izraelitë. Izraeli fajësoi për këtë Hamas-in. Ky i fundit mohon akuzat. Si të mos mjaftonte kjo, dy ditë pas gjetjes së trupave të tre adoleshentëve izraelitë, trupi i pajetë i një 17-vjeçari palestinez gjysmë i djegur u gjet në Jeruzalemin Perëndimor.

Kjo shkaktoi protesta masive të palestinezëve dhe përplasje me forcat e sigurisë izraelite. Nga Gaza nisën sulmet me raketa ndaj qyteteve izraelite, ndërsa autoritetet hebreje u kundërpërgjigjen me nisjen e një ofensive ushtarake duke përdorur dyfishin e forcës së përdorur në një ndërhyrje të ngjashme në vitin 2012.

Top Channel