Bie armëpushimi, Izraeli rifillon sulmet

15/07/2014 00:00

Izraeli ka rifilluar sulmet ajrore ndaj Gazës së kontrolluar nga militantët e Hamasit, pas armëpushimit të shkurtër të ndërmjetësuar nga Egjipti.

Pasi njoftoi propozimet e palës egjiptiane, Izraeli ndaloi sulmet me raketa në orët e para të së martës, por krahu i armatosur i Hamas e refuzoi iniciativën duke e cilësuar si “dorëzim”.

Burime palestineze, të cituar nga mediat e huaja, flasin për 192 persona të vrarë në 8 ditë konflikt, nga sulmet ajrore të Izraelit.

Ky i fundit raportoi ndërkohë të martën për viktimën e tij të parë. Izraeli ndërmori operacionin e tij “Tehu Mbrojtës” për të ndaluar sulmet me raketa të militantëve.

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi të martën pasdite se, “Izraeli nuk ka rrugë tjetër veçse të avancojë operacionet e tij”.

“Hamas zgjodhi të vazhdojë luftën dhe do të paguajë çmimin për një vendim të tillë. Përgjigjia jonë do të jetë me zjarr”, deklaroi ai.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes deklaruan se militantët kishin qëlluar 125 raketa ndaj vendit ditën e martë. Një 38-vjeçar izraelit u vra nga goditjet e mortajës të qëlluara nga Gaza.

FIM deklaroi se pas rifillimit të sulmeve ajrore, 30 objektiva janë goditur në Gaza, përfshirë 20 baza për raketa-hedhës, tunele për kontrabandën, një magazinë armësh dhe infrastruktura të tjera të përdorura nga militantët.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dënoi lëvizjen islamike të Hamas për refuzimin që i bëri armëpushimit të ofruar nga Egjipti, që do të pasohej nga bisedime trepalëshe.

Top Channel