Australi, 500 milionë dollarë dëmshpërblime

15/07/2014 00:00

Plot 500 milionë dollarë australianë kompensime do të marrin të mbijetuarit e zjarreve pyjore të vitit 2009, ndër më të rëndat në historinë e vendit. Në Australi është formalizuar marrëveshja më e madhe e këtij lloji e arritur ndonjëherë.

Rreth 10 mijë ishin paditë e paraqitura kundër kompanisë së energjisë elektrike, “SP AusNet”, për neglizhencë në lidhje me zjarrin vdekjeprurës në Kilmor Ist, në veri të Melboërnit, i cili mori 119 jetë njerëzish shkurtin e 5 viteve më parë e shkatërroi mbi 1 mijë shtëpi.

Komisioni i ngritur për të hetuar shkaqet e fatkeqësisë doli në përfundimin se flakët nisën nga një difekt i një linje elektrike. Shkëndijat e lëshuara aty qenë burimi i zjarrit që do të shkrumbonte çdo gjë në rrugën e tij.

Të prekurit çuan në gjyq edhe kontraktorin e linjës së mirëmbajtjes, “Utility Services Corporation”, si dhe Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit për mos marrjen e masave të nevojshme parandaluese. Nga 497 milionët që fitojnë të mbijetuarit e zjarreve prej marrëveshjes, 378 do t’i paguajë “SP AusNet”.

Për avokatin e tyre, Andrew Watson, ky vendim përfaqëson drejtësinë si dhe një kompensim real i cili do të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare të atyre që vuajnë.

Kompania sqaroi se marrëveshja u arrit pa një pranim faji nga ana e saj dhe këmbëngul se kablli ishte dëmtuar nga një rrufe, çka nuk ishte diktuar dot në kohë.

Një fatkeqësi, sipas drejtuesve të firmës, por që më shumë se pasojë e neglizhencës duhet konsideruar aksidentale. Në total, nga ato që mbetën në histori si “zjarret e së shtunës së zezë”, humbën jetën 173 persona.

Top Channel