Programi bërthamor i Iranit, asnjë marrëveshje

14/07/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe diplomatë të tjerë të lartë perëndimorë nuk arritën dot një marrëveshje me Iranin të dielën dhe objektivi për vulosjen e paktit afatgjatë u caktua pas një jave.

Nuk pati ndonjë arritje, pohoi kryediplomati britanik Uilliam Hag pas takimit, ndërsa shtoi se negociatat do të vazhdojnë: “Nuk shënuam progres në këto bisedime, megjithatë është e rëndësishme që ministrat u mblodhën së bashku për të diskutuar mbi këtë çështje. Bisedimet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim. Një temë e tillë është tepër e rëndësishme për t’u lënë mënjanë. Shumë gjëra janë në lojë për Iranin dhe për botën, ndaj na duhet t’i zgjidhim në mënyrë që të gjithë të kenë besim se aktiviteti bërthamor i republikës islamike nuk ka veçse qëllime paqësore.”

Me qëllimin t’i japë një shtysë bisedimeve, John Kerry po qëndron në Vienë për takime me homologun e tij iranian. Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermaninë, kanë disa muaj që negociojnë me Teheranin me qëllimin ta bindin të kufizojë programin e tij atomik në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Regjimi i ajatollahëve vazhdon të këmbëngulë se aktiviteti bërthamor i vendit synon prodhimin e një reaktori nuklear për prodhimin e energjisë, por SHBA dhe qeveri të tjera perëndimroe druhen se Teherani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, akuza këto të mohuara me forcë nga Irani.

Top Channel