Pudra e saj përmbante azbestin, Johnson & Johnson urdhërohet të paguajë 1.56 miliardë dollarë dëmshpërblim për pacientët me kancer në SHBA Pas paralajmërimeve të Izraelit për sulme të tjera ajrore, me mijëra palestinezë kanë nisur të largohen nga veriu i Gazës. Sipas OKB-së, të paktën 17.000 persona kanë kërkuar strehim në qendrat e saj.
Që nga fillimi i ofensivës së shtetit hebre një javë më parë, bilanci i vdekjeve në këtë territor është 172, ndërsa nga ana e Izraelit nuk ka viktima. Të dielën, forcat e tij sulmuan një zonë të dyshuar si vend nga ku hidheshin raketa e sipas mediave të huaja, ky ishte dhe raporti i parë për inkursion tokësor.
Trupat elitë zbarkuan mëngjesin e një dite më parë në bregun e Rripit të Gazës dhe vepruan kundër qendrave të goditjes me synimin të pengojnë lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi drejt qyteteve izraelite.
Shteti hebre i kundërshton shifrat e dhëna për jetët e humbura në radhët e palestinezëve, duke i cilësuar të ekzagjeruara, e madje zëdhënësi i forcave ajrore i tha BBC-së së për shkak të frikës mos goditeshin civilë, Izraeli ka hequr dorë nga disa sulme.
Megjithatë, sipas të dhënave të OKB-së, jo pak por 77% e të vrarëve në Gaza janë civilë. Përballë ngjarjeve dramatike, diplomacia ndërkombëtare është vënë në lëvizje. Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për armëpushim e bisedime paqeje, ndërsa një ditë më parë ministrat e jashtëm të Gjermanisë, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës, të mbledhur në kuadër të bisedimeve bërthamore në Vjenë, diskutuan edhe mbi mundësinë e një pushimzjarri në Gaza.
Shefi i diplomacisë gjermane do të udhëtojë për këtë qëllim në Lindjen e Mesme, Liga Arabe ka thirrur një mbledhje urgjente në Kairo, ndërsa Këshilli i Sigurimit pritet të zhvillojë një mbledhje tjetër të posaçme. Në përgatitje të sulmeve edhe më të mëdha, ushtria e Izraelit u bëri thirrje banorëve të Rripit verior të Gazës dhe veçanërisht banorëve të qytetit Beit Lahia, me anë të fletëvolanteve, sms-ve dhe telefonatave automatike që të largohen nga zonat e banimit deri në mesditë.
Top Channel