Arrihet pajtimi për të gjitha pikat ndërmjet bllokut të tri subjekteve politike LDK, AAK, Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Të paktën kështu shkruan  gazeta “Blic Portal” në Prishtinë sipas të cilës Vetëvendosje ka pranuar dialogun Prishtinë-Beograd sikurse vazhdimin e procesit të privatizimit.

Në këtë mënyrë subjekti i Albin Kurtit do të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme LDK-AAK- Nisma. Gazeta “Blic” shkruan se ka arritur ta shohë draftin e marrëveshjes së arritur ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo marrëveshje përbëhet prej disa pika kryesore. Në këtë draft-marrëveshje ka pajtim për vazhdimin e dialogut me Serbinë, por natyrisht mbi parime. Sipas draft-marrëveshjes kërkohet angazhim për një dialog kualitativ dhe parimor, të orientuar dhe të fokusuar në çështjet me interes për Kosovën, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur deri më tani, si dhe perspektivën e pranimit të Kosovës si anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Kur jemi te dialogu me Serbinë kërkohet po ashtu që ky dialog duhet të kornizohet dhe të aprovohen edhe nga institucioni më i lartë në vend, nga Kuvendi i Kosovës. Kjo draft-marrëveshje parasheh edhe zhvillimin e dialogut me pakicën serbe në Kosovë. Ideja e këtij dialogu është që të fillojë integrimi i plotë i tyre, nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Marrëveshja ndërmjet koalicionit dhe VV-së ka paraparë që për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat i ka marrë Kosova përfshirë edhe marrëveshjet që dalin si rezultat i dialogut, në harmoni me mundësitë që i lejon Kushtetuta dhe në përputhje me subjektivitetin e Republikës së Kosovës.

Në Vetëvendosje nuk i mohojnë këto informacione. Zëdhënësi Erzen Vraniqi nëpërmjet rrjetit social Facebook njofton se në draftin e marrëveshjes që po qarkullon në media ka pika për të cilat është arritur pajtim, sikurse që ka pika për të cilat Lëvizja nuk pajtohet, pa dhënë detaje të hollësishme.

“Marrëveshja e plotë apo jo, do të vendoset të dielën në takimin e liderëve”, përfundon zëdhënësi i Vetëvendosjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA