Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që grupi më i madh parlamentar i cili ka të drejtë ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit ëshë LDK-AAK- Nisma me 47 deputetë.

Kryeministri në largim Hashim Thaçi braktisi në mënyrë demostrative pas njëzet minutash mbledhjen,  duke akuzuar kundërshtarët për shkelje të rregullores së punës të Kuvendit dhe Kushtetutën. Thaçi i quajti një “grumbull muskujsh” të humbur liderët e bllokut të cilët, siç tha, nuk do të mund të sundojnë ligjin.

“Kishte devijim të plotë nga rendi i ditës, nga rregullorja e Kuvendit, tendencë për të shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Ne si forcë fituese e zgjedhjeve dhe si forcë politike fituese do të shkojmë drejt zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit dhe natyrisht qeverisë së ardhshme. Do të implementojmë plotësisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nuk do të lejojmë që në asnjë rrethanë që një grup politik muskujsh të humbur të dominojnë mbi rendin, ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Thaçi prezantoi edhe dokumentin e Sekretarisë së Kuvendit sipas të cilit grupi më i madh parlamentar i cili duhet të ulet në qendër të sallës së Kuvendit është grupi i PDK-së me 37 deputetë.
 
Por “muskulozi” në këtë mbledhje, sipas Isa Mustafës, është vetë Hashim Thaçi duke e quajtur edhe të papërgjegjshëm. Mustafa  kritikoi Sekretarinë e Kuvendit për tejkalim kompetencash pasi sipas tij se kush dhe ku do të ulet në sallë e vendos Kryesia.

“Nuk ka muskuj sepse asnjëri nuk foli para zotit Thaçi. Seancën ishte duke e udhëhequr kryetari i Kuvendit dhe nuk kishte asnjë përplasje, asnjë sjellje jokorrekte brenda. Ai tha të veten dhe doli. Nëse dikush ka treguar muskujt aty, i ka treguar ai që nuk ka qenë tolerant në një bisedë që ishte demokratike”, tha Mustafa. 

Për Jakup Krasniqin i cili  është kryeparlamentar deri në zgjedhjen e kryetarit të ri mbetet në fuqi vendimi i Kryesisë se grupi më i madh është ai i opozitës. Ndërsa akuzon Sekretarin e Kuvendit se ka shkelur rregulloren duke hartuar një  dokument sipas të cilit grupi më i madh është PDK-ja, pa dijeninë e Kryesisë së Kuvendit.

“Se si parashikon administrata uljen në Kuvend e bën mbi bazën e rezultateve, por nuk është detyra e tyre. Është kjo mbledhje që mbajtëm, organi përgjegjës për të përgatitur seancën e radhës dhe cdo dokument tjetër që ka dalë, ka dalë në mënyrë shoqërore, por për ne si kryetar të Kuvendit, si Kryesis dhe si trup që ishim sot është një dokument joekzistent”, u shpreh Krasniqi.
 
Por a do të shohim përplasje mes deputetësh për ulëse në seancën e 17 korrikut? Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes Glauk Konjufca ndërsa kritikon Thaçin se po përdor letrat e fundit, i jep të drejtë vendimit se grupi më i madh parlamentar është LDK-AAK dhe Nisma.

“Aty formulohet fare qartë që pozicioni qendror në Kuvend i takon grupit më të madh parlamentar dhe kështu u mor vendim. Vendimi u mor me konsensus të përgjithshëm me mungesën e vetme të PDK-së që u largua në mënyrë demostrative, pasi Kryeministri propozoi një dokument që për mendimin tonë është dokument ilegal dhe kjo u sqarua edhe në mbledhje. Është për të ardhur keq se si Kryeministri në largim po mundohet të shfrytëzojë letrat e tij të fundit”, deklaroi nënkryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
 
Takimi i kryetarëve të të gjitha partive politike në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ishte i pari pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Pavarësisht këtij fakti atmosfera për aq kohë sa u lejuan kamerat brenda ishte e pazakontë. Politikanët kosovarë nuk këmbyen asnjë fjalë me njëri-tjetrin. Ndërkohë ajo që u vu re këtë herë është se zyra e grupit parlamentar të LDK-së në Kuvend është shndërruar edhe në hapësirë shfrytëzimi për anëtarët e subjektit Nisma për Kosovën, por edhe AAK-në. Një takim para mbledhjes së Kryesisë duket se ishte i nevojshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA