
Qeveria beson se rritja ekonomike për 2014-ën do të jetë më e lartë nga parashikimet e fillim-vitit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, thotë se pas dy viteve të vështira ekonomia ka filluar të ringrihet.
“Shifra e rritjes ekonomike për 3-mujorin e parë prej 1.65 përqind, megjithëse është modeste tregon një trend pozitiv që Shqipëria në fund të vitit i ka të gjitha mundësitë që të kapë një rritje ekonomike prej 2.5 përqind. Mos harroni që vijmë nga një bazë tejet e ulët e vitit të kaluar ku rritja ekonomike ishte më e ulta”, deklaron Ministri Ahmetaj.
Sipas tij rigjallërimi i ekonomisë konfirmohet nga një sërë treguesish në gjysmën e parë të vitit, si shitjet me pakice dhe importet, të cilat sipas INSTAT janë rritur respektivisht me 5.7 dhe 8.7 përqind.
“Ka filluar të konsolidohet rritja e konsumit që është pjesë tejet e rëndësishme e xhiros ekonomike dhe rritjes ekonomike. Kjo reflektohet menjëherë dhe në rritjen e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, rritje që është e bazuar në xhiron ekonomike dhe jo në nivelin e taksave. Pra është rritje e të ardhurave e bazuar në rritjen e aktivitetit ekonomik”, shton Ahmetaj.
Sipas tij inkurajuese janë dhe ritmet e rritjes së eksporteve, të cilat po udhëhiqen nga industria e fasonit dhe produktet bujqësore.
“Paketa fason që ka dalë para disa muajsh ka shenja të drejtpërdrejta të një mirëfunksionimi duke rezultuar në shifra rekord të eksportit. Në vlerë është 87 milion dollarë më shumë eksporte në periudhën që flasim të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar. Kthesa ekonomike, e cila është shënuar statistikisht në muajin e dytë të vitit 2014 ka një konsolidim real”, përfundon Ministri Ahmetaj.
Dy vitet e fundit rritja ekonomike zbriti sipas INSTAT nën nivelet minimale 1.5 përqind duke shënuar periudhën më të gjatë me rritje të dobët që nga fillimi i tranzicionit.
Top Channel