Ligji i ri për TVSH-në

11/07/2014 00:00

Fermerët shqiptarë do të rimbursohen me 20% të vlerës për çdo produkt që shesin në treg. Në ligjin e ri për tatimin mbi vlerën e shtuar, qeveria ka vendosur të korrigjojë skemën ekzistuese të kësaj takse për sektorin e bujqësisë, e cila diskriminonte prodhimin vendas.

“Norma e kompensimit nga 6% bëhet 20%. E gjithë bujqësia, kundrejt faturimit, rimerr TVSH-në me 20%”, tha Cani.

Ministri i Financave ishte në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të paraqitur ligjin e ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Në projektin fillestar të draftit, kjo ministri kishte parashikuar të rikthente TVSH-në për makineritë dhe pajisjet, por siç la të kuptohet zoti Cani, neni do të rrëzohet.

“Nuk është në kohë marrja e një mase të tillë që nga përjashtimet të përjashtojmë çështjen e makinerive dhe pajisjeve”, tha deputeti i PS-së, Anastas Angjeli.

Ndërsa ministri Cani theksoi: “Kemi pasur debat shumë të madh për këtë çështje në qeveri. Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë janë për heqjen e TVSH-së dhe Ministria e Financave e ka këtë një betejë të humbur.”

Sipas ministrit të Financave, ligji i hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian ndryshon rrënjësisht zbatimin e kësaj takse dhe përmirëson klimën e biznesit. Ligji i ri mban të përjashtuar nga TVSH-ja ilaçet dhe shërbimet shëndetësore, ndërkohë që e rikthen këtë taksë për hekurin dhe çimenton që përdoret për hidrocentralet.

Po kështu, një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ai i cili i mundëson biznesit që në raste të caktuara të shesë edhe nën kosto, një masë që deri më tani nuk pranohej nga Tatimet.

Top Channel