
Pas një urdhëri të nxjerrë nga drejtoresha e përgjithshme, Tatimet kanë nisur një aksion të gjerë kontrolli në zonat turistike të vendit për të evidentuar bizneset informale në këtë sektor.
Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se vetëm në zonën e Durrësit, nga kontrollet e ushtruara javën e fundit janë penalizuar 404 subjekte dhe është arritur të liçencohen 159 subjekte të tjera, të cilat ushtronin aktivitet në mënyrë informale.
Gjatë kontrolleve, subjekteve në shkelje të ligjit u janë konfiskuar gjithashtu një sërë mallrash pa faturë, si dhe asete të tjera të cilat në total kapin vlerën mbi 100 mijë dollarëve.
Adminsitrata tatimore thekson se aksioni do të shtrihet në të gjitha zonat turistike të vendit dhe paralajmëron se, çdo biznes i lidhur me sektorin e turizmit që konstatohet i paregjistruar apo në shkelje me deklarimin e punonjësve dhe pa instalimin e përdorimin e pajisjeve fiskale do të penalizohet.
Paralelisht tatimet bëjnë të ditur se së bashku me Agjencinë Kombëtare të Turizmit po punojnë për çertifikimin e listës së çmimeve në të gjitha subjektet tregtare të hotelerisë dhe restoranteve, ku listat e çertifikuara do të mbajnë logon e këtyre dy institucioneve.
Administrata u bën thirrje bizneseve që të respektojnë me korrektësi legjislacionin tatimor, pasi në të kundërtën do të përballen me ndëshkimet e parashikuara nga ligji.
Top Channel