Në Kuvendin e Kosovës të mërkurën ka filluar proçedura e regjistrimit të deputetëve të legjislaturës së pestë. Sekretaria e Kuvendit ka ftuar deputetët për regjistrim, sipas rezultateve finale të çertifikuara nga KQZ-ja.

Procesi ka nisur me deputetët e PDK-së, për të vazhduar të enjten me ata të LDK-së dhe AAK-së, ndërsa të premten do të regjistrohen deputetët e Vetëvendosjes dhe të komuniteteve pakicë.

Deri në orën 16:00, sipas sekretarisë së Kuvendit janë regjistruar 31 deputetë për PDK-në, ndërsa 6 të tjerë duhet të regjistrohen deri në seancën kosntituive.

“Sot është një detyrim formal i joni që të plotësojmë formularët dhe të kryjemë proçedurat administrative në mënyrë që në datën e konstituimit të jetë gjithçka gati. PDK është fituese e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht i takon pozita e kryetarit të Kuvendit, sikurse i takon me Kushtetutë edhe mandati për të formuar qeverinë dhe institucionet e tjera përcjellëse”, deklaroi deputeti Zenun Pajaziti.

“Unë mendoj se e rëndësishme është qe ne kemi arritur të dalim si subjekti i parë politik në vend, me gjithësej 37 deputetë në Parlament dhe mendoj se kjo është një fitore e PDK-së dhe e Misionit të Ri. Se si do të jetë matematika e koalicioneve brenda Parlamentit, kjo mbetet të përcaktohet gjatë javëve në vazhdim”, tha deputetja tjetër Blerta Deliu.

Regjistrimin si deputet për herë të parë e ka bërë të mërkurën edhe zyrtari i Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli, pasi siç tha ai, në ditën që i është caktuar partisë së tij do të jetë jashtë Kosovës.

Ismajli, i cili njihet për komunikimin e veçantë në rrjetet sociale, në dalje të Kuvendit u përball me përshëndetjen e parë zyrtare nga deputetë të PDK-së.

Pas regjistrimit të deputetëve, të shtunën, kryesia e legjislaturës së kaluar do të mblidhet dhe do të caktojë axhendën për seancën e parë të Kuvendit që do të mbahet më 17 korrik.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, deputeti i PDK-së Azem Syla, përmes një njoftimi për mediay, ka bërë të ditur se për arsye personale nuk do të jetë më deputet. Në vend të tij vjen Nait Hasani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA