Koalicioni i krijuar pas zgjedhjeve në Kosovë nga LDK-AAK-Nisma, ka filluar të mërkurën proçedurën për të shkuar në seancën konstituive të Kuvendit si një grup i përbashkët parlamentar.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, që është i nominuari i partive të koalicionit për kryeparlamentar, ka mbajtur një takim në Kuvend me deputetët e tij, që i ka njoftuar për bashkimin e deputetëve të tri subjekteve në një grup të vetëm.

“Unë pata një takim me grupin tonë parlamentar, për t’u marrë vesh lidhur me formimin e grupit të përbashkët LDK-AAK-Nisma. Kemi filluar sot proçedurën, do ta përfundojmë nesër dhe do të shkojmë në Kuvend si grupi më i madh parlamentar. Proçedura sigurisht lejohet sepse deputetët janë të lirë që të vendosin vetë se cilit grup do t’i takojnë”, deklaroi Isa Mustafa.

Edhe Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën tha për Top Channel përmes telefonit se janë në përfundim të mbledhjes së firmave nga deputetët për të dërguar pastaj në Kuvend kërkesën për grup të përbashkët parlamentar.

Megjithatë, përfaqësues të PDK-së, që ka fituar më shumë mandate deputetësh, deklarojnë se posti i kryetarit u takon atyre dhe se nuk mund të shkojnë partitë humbëse me një grup parlamentar para seancës konstituive.

Deputeti Adem Grabovci ka thënë se as ligjet e as Kushtetuta nuk njeh koalicione paszgjedhore, por vetëm parazgjedhore me të cilët hyhet në zgjedhje.

“Më e rëndësishme për mua dhe për PDK-në është që në vend të ketë stabilitet, të ketë siguri dhe të një jetë më të mirë. Të respektojmë Kushtetutën, ligjet tona dhe institucionet, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe me shumë sakrifica dhe me shumë gjak. Ne nuk do të lejojmë kurrësesi, me asnjë kusht, që të shkelet mbi ato sakrifica të shumta të popullit tonë”, ka thënë Grabovci.

Pretendimet e dy blloqeve politike se kujt i takon kryeparlamentari pritet të zgjidhen në takimin e kryesisë së vjetër që mbahet më 12 korrik, ku pritet të hartohet axhenda e seancës konstituive që është thirrur për më 17 korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA