Lideri i PDK-së Hashim Thaçi, duke komentuar koalicionin e partive opozitare, e ka quajtur atë “besëlidhja e inatit”. Në një postim në Facebook, kreu i PDK-së ka thënë se partia e tij arriti të dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit vetëm falë projektit Misioni i Ri.

Ky projekt, sipas tij, tejkalon interesat e ngushta partiake dhe fokusohet vetëm në dy çështje thelbësore nacionale: punësimin dhe zhvillimin ekonomik.

Ndërsa transformimin rrënjësor, këto zgjedhje sipas Thaçit e arritën në fazën e dytë, në momentin kur partitë politike, duke anashkaluar çdo kriter dhe parim, u bënë bashkë dhe formuan një “besëlidhje të bazuar në interesa të ngushta personale dhe të inatit”.

“Besëlidhja e inatit u bë faktor i tendencës për bllokimin e implementimit të vullnetit të qytetarëve, shprehur nëpërmjet Misionit të Ri”, ka thënë Thaçi në rrjetin social.

Më së shumti ai ka kritikuar qëndrimin e Vetëvendosjes, e cila sipas tij, me vrull shkeli të gjitha idealet dhe parimet e saj të proklamuara, vetëm e vetëm që ta forcojë bllokun e inatit.

“Kështu, Vetëvendosje me shpejtësi rrufeje hoqi dorë nga gjithçka që votuesit e saj kishin besuar, duke përfshirë këtu idealin e saj për bashkim kombëtar dhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Megjithëkëtë, sipas Thaçi, blloku opozitar kishte qëllim afatshkurtër, që tashmë sipas tij është tejkaluar. “Tani që presidentja ka thirrur konstituimin e Kuvendit është momenti që të gjithë aktorët politikë të bëhen seriozë dhe ta respektojnë votën e qytetarëve dhe vullnetin e tyre”, ka shtuar Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA