Paketa nxitëse për bujqësinë

08/07/2014 00:00

Qeveria ka bërë gati një paketë nxitëse për bujqësinë, të ngjashme me atë që u përdor në sektorin e fasonit. Zëvendës/ministri i Bujqësisë Alban Zusi liston disa nga masat lehtësuese, që nisin me procedurat administrative.

“Le të marrim vetëm një element: procedurat e inspektimit në pikat kufitare, të cilat me ligj parashikojnë edhe pritje deri në 15 ditë, të jenë maksimumi 2 orë, ndërsa për sa i përket eksportit do të aplikojmë procedurën e çertifikimit të produkteve në arë, jo pranë pikave kufitare, çfarë do të thotë se kamioni do të harxhojë kohë në pikën kufitare vetëm aq sa i nevojitet për të bërë dokumentet doganore, që do të thotë çështje minutash”, tha zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi.

Kapitulli i dytë i paketës parashikon dhënien e një sërë shërbimeve publike, që lehtësojnë eksportin e mallrave te privatët.

“Do të delegohen shërbimet e identifikimit, matrikullimit të kafshëve, vaksinimit, lejeve të qarkullimit, çertifikatave për eksport, etj, të cilat sot janë shërbimet të mbajtura nën administratën publike, por jo funksionale”, shtoi më tej zoti Zusi.

Ndërsa pjesa e tretë lidhet me lehtësirat fiskale, ku rishikohen një sërë taksash, të cilat – sipas zëvendës/ministrit Zusi – ulin ndjeshëm koston e prodhimeve bujqësore.

“Kjo paketë parashikon që të ulë koston e prodhimit të gatshëm me 7-13%, të ulë koston e lëndëve të para me 5-15%, të formalizojë ekonominë me dhjetra e qindra miliona dollarë”, deklaron zv/ministri Zusi.

Paketa për bujqësinë është në fazë konsultimi me grupet e interesit dhe, sipas Ministrisë së Bujqësisë, masat e para të saj do fillojnë të zbatohen që këtë vit.

Top Channel