Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK- Nisma akuzon PDK-në e Thaçit për presion ndaj presidentes së Kosovës kur është fjala për mandatarin e dytë të qeverisë, duke mos i lejuar kështu zonjës Jahjaga të vendosë në bazë të lirisë së saj për të vepruar në këtë çështje.

Por jo vetëm kaq, PDK-ja akuzohet edhe për përpjejke që të ndryshojë vullnetin e deputetëve të këtyre partive që të votojnë për qeverinë e saj në kuvend.

“Qeveria LDK-AAK-NISMA dhe partnerët e tjerë është qeverisje e shumicës dhe ka marrë drejtimin. Kjo nuk mund të ndalet me asnjë presion dhe shantazh të zyrtarëve të PDK-së”, thuhet në një komunikatë të përbashkët.

“Insistimi i zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilët mbajnë edhe funksione të larta të shtetit, për mandatim të dyfishtë të PDK-së jo vetëm që është konstatim i pasaktë dhe i pandershëm, por është presion i pastër ndaj presidentes dhe diskrecionit të saj të përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, vijon komunikata.

Pas lajmeve se PDK po përpiqet t’i marrë nga votat e disa deputetëve të pakënaqur, sidomos brenda LDK-së, reagoi edhe kryetari i kësaj partie Isa Mustafa. Ai në Facebook bën të ditur se grupi prej 30 deputetësh është unik.

Megjithatë, ai pranon se në LDK nuk e kanë mirëpritur qeverisjen me AAK-në dhe Nismën, por siç shkruan Mustafa, edhe kjo është pranuar si alternativë për të ndërprerë qeverisjen e Thaçit.

“Ata që nuk kanë numra të mjaftueshëm nuk mund ta themelojnë qeverinë, ndërkaq me peshkim do të merren si opozitarë”, ka ironizuar kreu i LDK-së me këtë temë.

Top Channel ka mësuar nga burimet partiake se LDK do t’ia kalojë marrëveshjen edhe Këshillit të Përgjithshëm të partisë për aprovim. Sipas të njëjtave burime, aktualisht grupet punuese po punojnë në hartimin e programit qeverisës dhe se mbi 50 për qind e programit do të jetë i LDK-së, i paraqitur edhe gjatë fushatës zgjedhore.

Isa Mustafa nëpërmjet Facebook shpreh besimin se lëvizja Vetëvendosje do të kontribuojë në shtetndërtimin duke përkrahur koalicionin opozitar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA