
Instituti i Statistikave raportoi se shitjet e biznesit në tremujorin e parë të vitit u rritën me 1.7 për qind në terma reale krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, rritja e shifrës totale të afarizmit në ekonomi ka ardhur për shkak të faturimeve më të larta nga ndërmarrjet në sektorin e industrisë, atë të tregtisë dhe shërbimeve.
Në industri, rritja e xhiros e zhveshur nga efekti i ndryshimit të çmimeve ishte 3.8 për qind, në tregti 3.9 për qind ndërsa në sektorin e shërbimeve ndërmarrjet kanë faturuar 4 për qind më shumë se tremujori i parë i vitit të kaluar.
Ndërsa bizneset e ndërtimit vazhdojnë të përballen me kohë të vështira duke faturuar në tremujorin e parë, sipas INSTAT, 4.9 për qind më pak se vjet, ashtu si transporti ku xhiroja ka rënë me 36.2 për qind.
Shifra e afarizmit është një indikator orientues për ecurinë e ekonomisë. Rritja e faturimeve nga biznesi është një sinjal pozitiv për konsumin dhe qarkullimin e mallrave në ekonomi, që mbështetet edhe nga të dhënat e shkëmbimeve tregtare.
Sipas INSTAT, pas dy vitesh me radhë rënie, në pesë muajt e parë të vitit importi i mallrave u rrit me 8.6 për qind. Por sërish këto janë tendenca që mbeten për t’u konfirmuar për të parë sa të qëndrueshme janë.
Javën tjetër Instituti i Statistikave pritet të publikojë shifrën e rritjes ekonomike për tremujorin e parë. Qeveria dhe FMN vlerësojnë se prodhimi kombëtar këtë vit do të rritet me 2.1 për qind, që nëse vërtetohet do të përmbyste trendin në rënie të nisur dy vjet më parë, kur ekonomia u zhyt në një fazë të dytë ngadalësimi të shpejtë.
Top Channel