Gjermania diskuton përdorimin e dronëve

03/07/2014 00:00

Bundestagu gjerman ka nisur debatet për avionët pa pilotë. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen argumentoi se ushtria gjermane duhet të pajiset me dronë, me qëllim që të mbrohen ushtarët gjatë misioneve.

Por mes ligjvënësve, kjo çështje ka shkaktuar polemika të mëdha. Gjermania në përgjithësi është angazhuar kundër sistemeve të plota automatike, ku kompjuterët vendosin për jetën dhe vdekjen e njerëzve.

Mbështetësit e dronëve këmbëngulin se në të ardhmen duhet të zhvillohet edhe një model europian, pasi këta avionë mund të përdoren edhe për qëllime civile.

Aktualisht përdoruesi më i madh i dronëve në botë janë Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë angazhuar avionët pa pilotë në zonat e luftës, kryesisht në Afganistan dhe Pakistan.

Por pikërisht përdorimi i tyre ka shkaktuar pakënaqësinë e dy qeverive të vendeve në fjalë, për shkak të numrit të lartë të civilëve të pafajshëm që sulme të tilla u kanë marrë jetën.

Top Channel