
Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës kanë rënë dakord, të mërkurën në Berlin, të zhvillojnë bisedimet tripalëshe duke përfshirë edhe rebelët pro-rusë, deri ditën e shtunë, duke i hapur kështu rrugën një armëpushimi të ri, pavarësisht luftimeve të vazhdueshme pas të cilave Kievi thotë se tashmë janë vrarë 200 ushtarë.
“Ky është një angazhim i pastër për një armëpushim të gjithanshëm”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, pas bisedimeve me homologun e tij rus, Sergei Lavrov; atë ukrainas, Pavlo Klimkin; si dhe ministrin e Jashtëm francez, Laurent Fabius.
Rusia dhe Ukraina vazhduan të fajësonin njëra-tjetrën për dhunën që pasoi armëpushimin 10-ditor, të cilin Kievi nuk e zgjati pas skadimit ditën e hënë, përpara se sa të riniste ofensinvën e saj ushtarake kundër separatistëve në Lindje të vendit, shumica e të cilëve e kishin injoruar armëpushimin.
Por, Lavrov, në një konferencë të përshbashkët për shtyp në krah të Klimkin dhe dy ministrave të tjerë, tha se ata kishin rënë dakord për të punuar mbi një “paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë”.
“Propozuam të arrinim këtë objektiv përmes një takimi, së shpejti, të Grupit të Kontaktit, që – siç shpresojmë ne – do të mblidhet gjatë ditëve të ardhshme për të arritur një akord mbi kushtet e paqes, që do të kënaqnin të gjitha palët”, tha ministri rus.
Grupi në fjalë, ku përfaqësohen Ukraina, Moska dhe rebelët, me ndërmjetësimin e OSBE-së, duhet të takohet “jo më vonë se 5 Korriku, me synimin për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm, të pakushtëzuar dhe të dakordësuar nga të gjitha palët”, thuhej në dokumentin e firmosur nga të 4 ministrat e mbledhur në Berlin.
Klimkin shtoi një shënim për t’u pasur parasysh, duke thënë se pengjet duhet të lirohen dhe Ukraina të lejohet të kontrollojë kufijtë e saj, në mënyrë që rebelëve t’u ndalen furnizime të reja me luftëtarë apo armatime. Dokumenti bënte të ditur se Rusia ishte angazhuar të lejonte rojet kufitare të Ukrainës në pikëkalimet e Gukovo-s dhe Donjeckut, për ta bërë konkret kontrollin.
Ndërkaq, Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi Moskën, vetëm pak përpara bisedimeve, se sanksionet ekonomike mbeten ende një opsion i mundshëm, për sa kohë që Rusia nuk mbështet përpjekjet për paqe.
“Në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, kemi arritur deri më tani në nivelin e dytë dhe nuk do të donim të përjashtonim mundësinë për të shkuar më tej”, shtoi Merkel, duke iu referuar masave kundër zyrtarëve dhe firmave ruse, të cilët Perëndimi i akuzon se kanë shkelur integritetin territorial të Ukrainës.
Edhe Bashkimi Europian ka kërcënuar se do të përshkallëzojë sanksionet kundër ekonomisë ruse, nëse Moska nuk u vë frerë separatistëve në Lindje të Ukrainës, e megjithatë Moska ka mohuar t’i ketë mbështetur ata.
Top Channel