Referendumi për BE, Laburistët nën presion

02/07/2014 00:00

Sindikata më e madhe britanike që mbështet Laburistët, Bashkimi, i bën thirrje kësaj partie që të mbështesë planin e Konservatorëve për një referendum mbi qëndrimin ose jo në BE.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj sindikate, Len McCluskey deklaroi se Laburistët do të mbeten “peng i fatit” nëse nuk e mbështesin këtë votim.

Lideri i laburistëve Ed Miliband më herët e ka përjashtuar mundësinë e një referendumi, përveç rastit nëse Brukselit i jepen kompetenca të tjera.

Por sindikata Bashkimi druhet se një vendim i tillë do të ishte një barrë e rëndë për Laburistët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Më herët gjatë javës sindikata konfirmoi se do të vazhdojë të jetë mbështetsja më e madhe financiare e krahut të drejtuar nga Miliband, kur të garojë në zgjedhjet e 2015-s.

Por në konferencën vjetore të mbajtur këtë të mërkurë, delegatët e saj mbështetën një mocion që i bën thirrje lidershipit politik laburist që të rishqyrtojë qëndrimin ndaj referendumit mbi anëtarësinë e Britanisë në BE.

Zoti McCluskey deklaroi se heshtja për këtë çështje do t’i hapë shtegun UKIP dhe partive të tjera për të trajtuar shqetësimet reale të popullit për të fituar votat.

“Do të doja që Ed Miliband të shpjegonte përse nuk bashkohet me palët e tjera për t’u ofruar britanikëve një votim për diçka që duket qartë që po sjell shqetësim tek publiku”, deklaroi ai.

“Prandaj mendoj se është koha që lidershipi laburist të rishikojë qëndrimin në lidhje me çështjen e referendumit të qëndrimit në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Top Channel