Ofensiva e ushtrisë ukrainase

02/07/2014 00:00

Operacionet e reja ndaj separatistëve pro-rusë po japin fryt. Forcat ukrainase kanë rimarrë një prej pikave kufitare të kontrolluara nga rebelët, një fitore e parë kjo sipas Petro Poroshenkos në ofensivën kundër terrorizmit.

Mësymja e trupave të Kievit nisi pak orë pas skadimit të armëpushimi të njëanshëm të shpallur nga presidenti ukrainas.

Për këtë përshkallëzim të ri të situatës, Vladimir Putin fajësoi homologun e tij dhe nuk ngurroi t’i shtojë retorikat me paralajmërimin se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur të drejtat e rusëve jashtë vendit.

Përpos Moskës, zgjatjen e armëpushimit e kërkoi edhe BE-ja, por Poroshenko ishte në presion të madh nga qytetarët ukrainas. Mijëra demonstrues kërkuan gjatë fundjavës rifillimin e luftimeve kundër separatistëve.

Qindra luftëtarë vullnetarë e kërcënuan presidentin në mënyrë të tërthortë me një grusht shteti, nëse ai do të vazhdonte të ngurronte. Edhe në mesin e politikanëve kishte zëra për zgjidhje ushtarake.

Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, e cila humbi përballë Poroshenkos në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, deklaroi se “Paqja duhet të fitohet me luftë”. Qëndrimi i ukrainasve rreth konfliktit në lindje të vendit, varet sipas eksperteve nga zona ku jetojnë.

Shumica e qytetarëve i marrin informacionet nga mediat ukrainase dhe besojnë se në anën e separatistëve luftojnë vetëm disa mijëra mercenarë e kjo i shtyn të mendojnë se ushtarakisht, rebelët mund të mposhten fare lehtë.

Ata që jetojnë në rajonet lindore e nuk ndjekin televizionet ukrainase por vetëm shtypin rus, mendojnë se nuk do të jetë kaq e thjeshtë.

Një ditë më parë, Departamenti i Shtetit pohoi se kryediplomati John Kerry i ka telefonuar ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke i përcjellë shqetësimin se rebelët e mbështetur nga Rusia kanë hedhur poshtë hapat për uljen e tensioneve, hapa që mund ta kishin zgjatur armëpushimin.

Top Channel