Hakmarrja, digjet adoleshenti palestinez

02/07/2014 00:00

Përleshje të ashpra shpërthyen mes palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë në lindje të Jeruzalemit pas gjetjes së trupit të pajetë të një adoleshenti palestinez, një forme shpagimi në dukje ndaj rrëmbimit dhe vrasjes së tre të rinjëve izraelitë.

17-vjeçarin Mohammed Abu Khdair e kishin detyruar të hynte me forcë në një makinë, e pas një ore pas kësaj, trupi i tij u gjet gjysmë i djegur në një pyll jo shumë larg vendit të pengmarrjes. Policia izraelite nuk e konfirmoi dot arsyen e vrasjes, ndërsa palestinezët duken të bindur se bëhet fjalë për hakmarrje ndaj asaj cfarë ndodhi me 19-vjecarin Eyal Yifrah dhe dy 16-vjecaret Gilad Shaar dhe Naftali Fraenkel, të zhdukur mbrëmjen e 12 qershorit teksa ktheheshin në shtëpi nga shkolla.

Përleshjet nisën në afërsi të shtëpisë së Abu Khdairit, babait të adoleshentit palestinez. Protestuesit qëlluan policët me gurë e morën si përgjigje gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës. Kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat i kërkoi palëve të frenohen nga dhuna. Ky është një akt i tmerrshëm e barbar të cilin e dënoj me forcë, tha ai, por gjerat nuk zgjidhen në këtë mënyrë e kam besim të plotë se autorët e ngjarjes së rëndë do të nxirren para drejtësisë.

Mjaft ekspertë mendojnë se presioni dhe zemërimi nga pala izraelite janë të kuptueshme: vrasja e tre njerëzve të pafajshëm, adoleshentë dhe civilë është një krim i shëmtuar për të cilin nuk mund të ketë justifikim. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se përkundër retorikës së tij të mbushur me urrejtje Hamasi mohon çdo lidhje me aktin e dënueshëm, ndersa Izraeli deri tani nuk ka sjellë asnjë dëshmi që të tregojë përfshirjen e tij, vërejne ata, duke shtuar se popullsia palestineze nuk ka përse ndëshkohet kolektivisht.

Top Channel