Ukrainë, ofensivë e re ndaj separatistëve

01/07/2014 00:00

Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë ushtarake kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit, disa orë pasi armëpushimi mes palëve skadoi.

Bazat e rebelëve dhe bastionet e tyre u gjendën nën sulmin e aviacionit dhe artilierisë, deklaruan burime pranë qeverisë ukrainase.

Armëpushimi 10-ditor përfundoi mbrëmjen e së hënës, me presidentin Petro Poroshenko që deklaroi se, elementë kriminalë kishin cënuar shansin për paqe.

Liderët perëndimorë dhe Rusia i kishin bërë thirrje atij që ta zgjaste më tej armëpushimin. Ndërkohë, ofensiva në lindje të vendit u njoftua të martën edhe nga kryetari i Parlamentit, Oleksandër Turchynov, i cili foli para deputetëve.

“Mund t’ju informojë se në mëngjes faza aktive e operacionit anti-terror u përsërit. Forcat tona të armatosura po kryejnë sulme ndaj bazave terroriste dhe pikave të tyre të kontrollit”, tha ai.

Presidenti Poroshenko u shfaq në një fjalim televiziv natën mes së hënës dhe së martës, duke thënë: “Ne do të sulmojmë, do të çlirojmë tokën tonë”.

Presidenti ukrainas është ndodhur nën një presion të madh nga protestuesit që bëjnë thirrje për përsëritjen e operacioneve kundër separatistëve. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se e kanë shkelur armëpushimin.

Një telekonferencë 4-palëshe e zhvilluar të hënën mes Poroshenkos, presidentit rus Putin, atij francez Hollande dhe kancelares gjermane Merkel kishte dhënë shpresë për një ripërtëritje të armëpushimit.

Por në fjalimin e tij zoti Poroshenko tha: “Vendimi për të mos vazhduar armëpushimin është përgjigjia jonë ndaj terroristëve, militantëve dhe plaçkitësve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB