Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mandatuar Partinë Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë së re, e cila ka dalë partia e parë fituese në zgjedhjet e fundit.

Menjëherë pas publikimit të vendimit nga ana e gjykatës, kryeministri Hashim Thaçi ka shkruar në Facebook se “e respekton këtë vendim plotësisht”.

Partitë e bllokut opozitar, që kanë marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme, kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse – sipas bindjes së tyre, -vetëm koalicioni i tyre “LDK-AAK dhe NISMA”, që kanë fituar shumicën e votave, do të duhej të mandatohej për formimin e qeverisë së re.

Në një komunikatë më vete, edhe lëvizja “Vetëvendosje” ka reaguar, duke thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë, që Presidentja emëron kandidatin për Kryeministër për herë të dytë, nga partia apo koalicioni, i cili ka të gjitha gjasat të marrë votat e nevojshme në Kuvend, për formimin e Qeverisë.

Ndërkohë, Presidenca kosovare ka njoftuar se pret, në ditët në vijim, përfundimin e plotë të procesit të zgjedhjeve, për të vepruar pastaj në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Edhe Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë u bën thirrje të gjithë udhëheqësve kosovarë, që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për sqarimin e rolit të Presidentit.

***

Kërkesa për interpretimin e neneve 84 dhe 95 të Kushtetutës së Kosovës kishte mbërritur në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja kërkonte interpretimin pas situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, kur partitë opozitare LDK, AAK, Nisma dhe VV formuan një koalicion me të mandatuar për kryeministër Ramush Haradinajn.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA