Ndryshon llogaritja e tatimit mbi fitimin

01/07/2014 00:00

Llogaritja e kësteve përmes të cilave bizneset paguajnë tatimin mbi fitimin do të ndryshojë. Qeveria ka dërguar një draft të ri në Parlament, i cili ndryshon ligjin për tatimin mbi të ardhurat, përkatësisht mënyrën se si bizneset duhet të llogarisin dhe parapagujnë tatimin mbi fitimin.

Drafti ndryshon plotësisht skemën dhe për rrjedhojë edhe masën e tatimfitimit që parapaguhet. Tatimi mbi fitimin fuknsionon mbi bazën e parapagimit, ku biznesi është i detyruar ta parapaguajë këtë taksë pa mbyllur bilancin vjetor.

Sipas ligjit aktual, për katër muajt e parë të vitit, janar, shkurt, mars dhe prill, detyrimi që biznesi duhet të parapaguajë për tatimin mbi fitimin llogaritet sipas një formule, e cila bazohet tek shuma faktike e këtij tatimi që i njëjti biznes ka paguar dy vjet më parë, pjesëtuar për 12.

Ndërsa për tetë muajt e mbetur të vitit, detyrimi mujor që duhet të parapaguhet llogaritet duke pjesëtuar tatimfitimin e paguar një vit më parë, minus shumën e parapaguar në katërmujorin pjesëtuar për tetë.

Me skemën e re që propozon qeveria, këstet që parapaguhen do të llogariten vetëm duke marrë parasysh vitin e mëparshëm, duke bërë kështu që si burim informacioni të jetë vetëm një vit dhe jo dy siç është aktualisht.

Sipas projektit, masa e këstit mujor që do të parapaguhet del duke pjesëtuar shumën e tatimfitimit të vitit paraardhës për 12. Qeveria thotë se, ky ndryshim thjeshton proçedurën dhe pagesat e tatimfitimit si për biznesin ashtu dhe për administratën, pasi sipas saj, formula ekzistuese krijonte probleme.

Top Channel