
Izraeli është betuar për hakmarrje ndaj Hamasit, grupi militant palestinez, të cilin e akuzon për rrëmbimin dhe vrasjen e tre të rinjve.
Trupat e Naftali Frenkel, Gilad Shaar dhe Eyal Yifrach u gjetën të vdekur mbrëmjen e së hënës, pasi ishin shpallur të humbur prej disa javësh.
Kryeministri Benyamin Netanyahu deklaroi: “Hamas është përgjegjës për këtë dhe Hamas do të paguajë”. Por nga ana e saj lëvizja islamike mohon çdo përfshirje.
Izraeli kreu mbi 30 sulme ajrore në Rripin e Gazës gjatë natës. Por këto sulme erdhën si reagim ndaj disa sulmeve palestineze me raketa në jug të shtetit hebre.
Trupat izraelite gjithashtu bastisën fshatin palestinez të Halulit dhe shtëpitë e dy eksponentëve të Hamas, të konsideruar si të dyshuarit kryesorë për rrëmbimin e të rinjve.
Banesat u hodhën në erë, ndërsa një palestinez u qëllua për vdekje pasi hodhi një mjet shpërthyes ndaj forcave izraelite teksa këto po kryenin një operacion në Bregun Perëndimor mëngjesin e së martës.
Nga ana e saj, Hamas deklaron se Izraeli po e përdor rastin e rrëmbimeve si justifikim për luftë ndaj palestinezëve.
Zëdhënësi i lëvizjes, Sami Abu Zuhri deklaroi se, “trupat e shtetit hebre kryen një përshkallëzim të luftës duke i hapur vetes dyert e ferrit”.
Vdekja e tre studentëve, që për herë të fundit ishin parë në afërsi të Hebronit teksa shkonin në shtëpi, ka shkaktuar reagim ndërkombëtar. Trupat e tyre u gjetën në një gropë në afërsi të Halulit.
Varrimi i tyre do të kryhet së shpejti, në një atmosferë zije dhe irritimi kombëtar, raporton i dërguari i BBC në Lindjen e Mesme, Kevin Conolly.
Top Channel