Irak, luftë pas shpalljes së Kalifatit

01/07/2014 00:00

Përleshje të reja janë verifikuar mes rebelëve sunitë dhe forcave qeveritare përreth qytetit të Tikritit në Irak.

Një dëshmitar deklaroi për mediat e huaja se në zonë ka një valë të re sulmesh ajrore dhe se pallati i ish-presidentit Saddam Hussein është goditur.

Një burim lokal tha për BBC se rebelët ndërkohë kanë zpatuar disa pjesë në afërsi të një baze ushtarake përmes një kundërsulmi. Ngjarjet vijnë një ditë pasi Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit njoftoi krijimin e një Kalifati.

Parlamenti iraken pritet ndërkohë të mblidhet për herë të parë që nga zgjedhjet e prillit. Kryeministri Nouri al Maliki, blloku politik i të cilit doli i pari, kërkon mandatin e tretë, edhe pse vëzhguesit deklarojnë se ai shihet si një nga shkaktarët e krizës së re, për shkak të politikave të tij sektare.

Presidenti amerikan Barack Obama ka njoftuar se do të dërgojë në Irak rreth 200 trupa të tjera për të mbrojtur ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad.

Kjo do të thotë se rreth 750 trupa amerikane ndodhen rreth Irakut, por presidenti Obama ka përjashtuar çdo mundësi për të dërguar trupa luftarake për të luftuar përkrah ushtrisë irakene.

Raportohet se trupat rebele morën nën kontroll disa pjesë të bazës ushtarake Speicher, në veri të Tikritit ditën e hënë, pavarësisht se u ndodhën nën sulmin e helikopterëve qeveritarë.

Qyteti i lindjes së Saddam Hussein u mor nën kontroll nga militantët e ISIS-it më 11 qershor, teksa ata u shtrinë në pjesë të mëdha në veri dhe perëndim të Irakut dhe që atëherë ka qenë skenë e përleshjeve të dhunshme mes dy palëve.

Ditën e premte, ushtarët rimorën në duart e tyre kampusin e Universitetit të Tikritit, ndërkohë që për shkak të rezistencës së militantëve ata u detyruan të tërhiqeshin nga qyteti i Dijlasë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB