Avionët rusë mbërrijnë në Irak

01/07/2014 00:00

Pesë avionë luftarakë rusë, “Sukhoi Su-25”, kanë mbërritur në Irak. Kjo është dërgesa e parë e avionëve në bazë të një marrëveshje të arritur mes Moskës dhe Bagdadit, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Irakut.

“Këta avion reaktivë do të kontribuojnë në shtimin e forcës ajrore në eliminimin e terrorizmit”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga ministria.

Ky njoftim u shoqërua edhe me një koment të Kryeministri Nuri al-Maliki, i cili u shpreh se përparimi i militantëve mund të ishte shmangur nëse Iraku do të kishte fuqinë e duhur ajrore.
Një javë më parë, në një intervistë për BBC, ai kishte deklaruar se Iraku ishte mashtruar nga SHBA-ja pas nënshkrimit të kontratës për dërgimin e avionëve ‘F-16’.  

Qeveria irakiane ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë dhe Bjellorusinë për t’u furnizuar me avionë luftarakë. Marrëveshje kjo që kap shifrën e 500 milionë dollarëve.

Forcat ajrore të Irakut kanë pasur vështirësi deri më tani në përballimin e avancimit të militantëve, të udhëhequr nga Shteti Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL), teksa raportohet se ato nuk kanë më as raketa ajër-tokë.

Top Channel