“Armiqtë shenjtërojnë vdekjen, ne jetën”

01/07/2014 00:00

Dhjetra-mijëra izraelitë kanë përcjellë mes lotësh, në atë që mund të quhet si një ditë zie kombëtare sipas Reuters, të martën, për në banesën e fundit 3 adoleshentët e marrë peng dhe të vrarë nga palestinezët. Izraeli fajëson për këtë ngjarje grupin islamik të Hamasit.

Në lutjet e tij pranë varrezave në qendër të vendit, presidenti Shimon Peres, një burrë shteti i moçëm dhe paqësor, i thuri lavde angazhimeve zyrtare për të ndëshkuar Hamasin.

“E di që vrasësit do të gjenden. Izraeli do të veprojë me dorë të hekurt, deri sa terrori të çrrënjoset”, tha ai në ceremoninë e mbajtur në Modi-in, një qytet mes Jeruzalemit dhe Tel Avivit.

Izraeli ka bombarduar dhjetra baza në Rripin e Gazës gjatë së martës, duke plagosur 2 palestinezë, teksa ka nisur goditjen e Hamasit një ditë pasi u gjetën trupat e pajetë të tre të rinjve, në Bregun Perëndimor, jo larg vendit nga ku ata u zhdukën teksa ktheheshin nga shkolla për në shtëpi, më 12 Qershor.

Pas funeralit, kabineti i sigurisë në Izrael u mblodh për të dytën herë në po kaq ditë. Zyrtarët thanë se ministrat ishin të përçarë gjatë së hënës, në lidhje me veprime të mëtejshme në enklavën bregdetare apo në Bregun Perëndimor. Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët rajonalë të Egjiptit bënë thirrje për vetëpërmbajtje.

Kryeministri Benjamin Netanyahu u betua se Hamasi do të paguajë shtrenjtë vrasjet dhe përsëriti përpara takimit të së martës se Izraeli “duhet ta godasë fort Hamasin dhe infrastrukturën e saj në Bregun Perëndimor”, si dhe të merren masa më të forta për të ndalur raketat e lëshuara nga Gaza drejt Izraelit jugor.

Netanyahu u angazhua se do të godiste këdo që është përfshirë në pengmarrje: “Do t’i gjejmë, do t’i kapim, edhe nëse do të duhet kohë”, tha ai.

3 adoleshentëve “të talentuar, të pastër, të ndershëm e të mirë iu mor jeta nga duart e të djallëzuarve”, tha ai, duke i quajtur agresorët “vrastarë”.

“Një hendek i madh morali na ndan neve nga armiqtë tanë. Ata shenjtërojnë vdekjen, ndërsa ne jetën. Ata shenjtërojnë egërsinë e mizorinë, ndërsa ne mëshirën dhe dhembshurinë. Ky është sekreti i forcës sonë. Ky është thelbësor edhe në unitetin tonë. Përgjatë historisë së popullit tonë, kemi provuar herë pas herë – përballë horroreve që kemi përjetuar, hidhërimeve dhe pikëllimeve, – forcën e jetës që pulson brenda nesh për të mposhtur forcën e vdekjes”, ka thënë Netanyahu në gjuhën hebreje, siç bën të ditur CNN.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB