Prokuroria për Krimet e Luftës në Beograd ka dhënë urdhër për fillimin e gërmimeve edhe në dy lokacione të reja në Rudnicë të Rashkës, ku dyshohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova.

Në varrezën masive në të cilën është duke u punuar prej muajsh, deri tani janë gjetur mjaft mbetje mortore, që konfirmojnë se aty ishin fshehur gjurmët. Prokurori Dragoljub Stankoviç ka thënë se prokuroria është duke mbledhur fakte.

“Poshtë janë gjetur 45 mbetje mortore komplete dhe rreth 80 mbetje të pjesshme që nuk do të thotë se janë persona komplet. Gjithësej janë dërguar për analizën e ADN-së 165 mostra, në mënyrë që të konfirmohet identiteti i tyre”, deklaroi Stankovic.

Nga ana e tyre, shqiptarët thonë se presin të shohin rezulatet edhe më tej. “Deri më tani ka një gatishmëri reciproke për bashkëpunim dhe ne e vlerësojmë këtë. Mendoj se kështu mund të heqim dilemat dhe të ecim më tutje”, deklaroi Prenk Gjetaj, nga Komisioni për të pagjeturit në Kosovë.

Aktualisht dyshohet për rreth 400 shqiptarë të varrosur në varrezën masive përtej kufirit të Kosovës nga Mitrovica. Ndërkohë, ende nuk ka informacione për autorët e këtij krimi të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA