Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të nisë edhe një proces të ri të rinumërimit të votave, para se të bëjë çertifikimin e rezultateve finale të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka miratuar si të bazuara 24 nga 61 ankesat që i ishin parashtruar nga kandidatët për deputetë të subjekteve politike, të cilët pretendojnë se u janë vjedhur votat.

“Nga ky numër i ankesave, 24 janë miratuar si të bazuara, 36 ankesa janë refuzuar si të pabaza dhe vetëm një ankesë është refuzuar si e dorëzuar pas afatit. Nga shqyrtimi i ankesave të miratuara është vendosur urdhëri që KQZ të rinumërojë fletëvotimet në 38 vendvotime në komuna të ndryshme, sa i përket kandidatëve të subjektit të caktuar politik. Ndërsa në 13 vendvotime, KQZ është urdhëruar që të rinumërojë të gjitha fletëvotimet brenda kutisë së votimit për të cilën ankohet subjekti i caktuar politik”, ka deklaruar Shukri Sylejmani, kryetar i PZAP.

Sylejmani ka bërë të ditur se vendimet e PZAP-së janë detyrim për KQZ-në, ndërsa sipas tij, konstatimet nga rinumërimi i ri duhet të futen në rezultatin final të zgjedhjeve.

Ai ka thënë se nuk mund ta dijë para rinumërimit nëse ky proces mund të ndryshojë listën e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës.

Nga deputetët që janë ankuar për manipulime të votave prijnë ata nga LDK-ja, ndërsa i vetmi subjekt që është ankuar për vjedhje të votave të partisë ka qenë AKR, e cila nuk e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA