Liderët e katër subjekteve politike, LDK-së, lëvizjes Vetëvendosje,  AAK-së dhe Nisma për Kosovën bllokojnë PDK-në e Hashim Thaçit.

Isa Mustafa, Albin Kurti, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj u pajtuan të mos i përgjigjen ftesës së PDK-së e as pretendentit për mandatar të kësaj partie në çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re.

Ata u takuan në selinë e AAK-së dhe bllokimi i PDK-së ishte ajo për çka u morën vesh. Vendimi i katër partive përkon me kohën kur vendimi i Gjykatës Kushtetutese ende nuk është bërë publik.

Kryetarët e partive të koalicionit mes të tjerash arritën t’i përafrojnë qëndrimet për dialogun Prishtinë-Beograd dhe procesit të privatizimit, kritere të lëvizjes Vetëvendosje.

Pa hyrë shumë në detaje, kreu i AAK-së sqaroi pozicionin e përgjithshëm të subjekteve politike se pajtohen me Vetëvendosjen se duhet të ketë dialog parimor me Serbinë e po kështu një proces të drejtë privatizimesh.

“Jemi në fazën e dytë të bisedimeve dhe janë përafruar jashtëzakonisht qëndrimet për të formuar qeverinë e ardhshme. Jemi të të njëjtit mendim se nuk do të ketë qeveri “Thaçi 3”. Ndërsa lidhur me dialogun me Serbinë kemi rënë dakord për një dialog të mirëfilltë dhe jo pa kushte”, deklaroi Haradinaj.

Liderët e katër partive ende nuk kanë hyrë në fazën e tretë të dialogut për të cilën do të diskutohet hyrja apo jo e Vetëvendosjes në qeveri. I pyetur për këtë çështje, kryetari i VV, Albin Kurti dha këtë përgjigje:

“Ne, as si koalicion e as si subjekte politike ndarazi nuk do t’i përgjigjemi ftesës së PDK-së e as pretendetit për mandatar të kësaj partie, në çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re”, tha Kurti.

Edhe këtë herë kryetari i LDK-së Isa Mustafa nuk u deklarua rreth takimit. Siç duket, i shtyrë nga moti me shi, pa deklaratë u largua edhe Fatmir Limaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA