
Tre të rinjtë izraelitë që u shpallën të humbur më herët gjatë muajit në Bregun Perëndimor janë gjetur të vdekur.
Një zëdhënës ushtarak izraelit deklaroi se trupat e tyre u gjetën në një gropë të thellë në afërsi të qytetit të Halulit, në veri të Hebronit.
Naftali Frenkel dhe Gilad Shaar, të dy 16 vjeç, dhe 19-vjeçari Eyal Yifrach për herë të fundit u panë së bashku në afërsi të Hebronit, rrugës për në shtëpi.
Izraeli ka akuzuar lëvizjen islamike të Hamas se është pas zhdukjes së tre djemve, një akuzë që grupi militant palestinez e ka mohuar.
Ditën e hënë, shërbimi izraelit i sigurisë, Shin Bet, deklaruan se të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje ishin dy persona të quajtur Marwan Qawasmeh dhe Amer Abu Aisheh, të konsideruar si operativë të Hamasit.
“Ekipe të kriminalistikës ndodhen në zonë dhe kërkimet për kapjen e të gjithë personave përgjegjës në këtë sulm po vazhdojnë”, thuhet në një deklaratë.
Ushtria izraelite ka ngritur bllokada dhe ka mbyllur shumë zona përreth Halulit, që ndodhet vetëm pak kilometra nga vendi ku ishin parë për herë të fundit tre të rinjtë.
Gjatë së hënës, qeveria izraelite zhvilloi gjithashtu një mbledhje të jashtëzakonshme, pas të cilës ministri i Ekonomisë, Naftali Bennett shkroi në Facebook: “Vrasësit e fëmijëve dhe ata që i drejtuan ata nuk mund të falen. Tani është koha për veprime, jo për fjalë”.
Edhe presidenti Shimon Perez shprehu hidhërimin e tij. “I gjithë kombi është në zi. Por pavarësisht hidhërimit, ne mbetemi të vendosur të dënojmë ashpër terroristët kriminelë”, deklaroi ai.
Zhdukja e tre të rinjve hebre më 12 qershor shkaktoi një seri operacionesh kërkimi në qytetet palestineze dhe në ato përgjatë Bregut Perëndimor.
Top Channel