Bushati: Presidenti, bujar me PD, jo me integrimin

30/06/2014 00:00

Në fillim të javës së kaluar Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, një vendim i shumëpritur dhe i refuzuar tre herë. Por çfarë ndodhëmë pas? Çfarë i pret shqiptarët në përballjen me BE-në? Cilat janë përfitimet dhe cilat janë detyrimet që na rrjedhin nga ky status?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu dha përgjigjje vetë Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati i ftuar në panelin e Shqip me gazetaren Rudina Xhunga këtë të hënë.

Rudina Xhunga: Cfarë e solli dhe cfarë e vonoi statusin?

Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm: Ne kemi qenë të qartë duke vlerësuar që ky është një mision stafetë që ka nisur më 1991 dhe nëse shohim se ku është Shqipëria sot themi që ka bërë hapa përpara, por unë personalisht e fus veten tek ata persona që mendoj se potencialin për hapa e kemi patur disa herë më të lartë dhe politika nuk ka qenë në lartësinë e qytetarëve për ta bërë një gjë të tillë. Puna e këtyre 9 muajve ka qenë vendimtare për reforma në fushën e sundimit të së drejtës, sidomos tek beteja kundër krimit dhe krimit të organizuar, në përshpejtimin e disa prej reformave që kishin ngecur nga qeverisja e kaluar në një klimë shumë herë më pozitive që vihet re në mënyrën se si menaxhohet jeta parlamentare në parlament dhe nëse i referohemi raportit të KE dhe qëndrimeve të vendve anëtare, shquhet qartë fjalia për vullnetin politik të qartë të treguar nga Shqipëria në këto 9 muaj. Ky ka qenë faktori kryesor, por jo i vetëm.

Rudina Xhunga: Lazarati dhe CEZ… ai ishte Lazarati një ndërhyrje simbolike?

Ministri Bushati: Ishte një dëshmi e qartë e vullnetit politik të qeverisë për të luftuar krimin dhe fenomenet e dëmshme për Shqipërinë. Fitorja e policisë në Lazarat erdhi si pasojë e mbështetjes së qartë të qeverisë dhe mbështetja e qeverisë si pasojë e kërkesave të qytetarëve. Kemi një sfidë tjetër që përjeton fenomene të ngjashme se si këto zona të kthehen në zona që promovojnë punësimin dhe zhvillimin e qendrueshëm. Sa i përket CEZ-it është një histori e dhimbshme dhe mendoj që i fundit që mund të flasë për këtë cështje është Sali Berisha për mënyrën se si e menaxhoi këtë cështje. Mendoj që e kemi trajtuar këtë cështje me përgjegjshmëri duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe duke gjetur një zgjidhje që është më e pranueshme se sa forma të tjera që mund të ishin akoma më penalizuese.

Rudina Xhunga: Këtë javë është festuar cdo ditë, festa të ndara, të ndryshme…

Ministri Bushati: Jemi përpjekur që të kishim një ambient më normal, të kishim vetëm një ceremoni sic ishte ajo e së shtunës. Programi ishte menduar që në foltore nuk do të shfaqeshin vetëm personazhe të mazhorancës aktuale. Në momentin që u lajmërua që do të kishte një aktivitet të tillë, si kërpudha lindën edhe 2-3 aktivitete të tjera që u lajmëruan me ftesa dhe sms, jashtë kuadrit të protokollit të shtetit. Por edhe në këtë lëmë qeveria është treguar e kujdesshme, ka ndjekur me përpikmëri interesin publik dhe ka respektuar cdo aktivitet dhe ceremoni që ka patur në fokus cështjen e statusit të vendit kandidat. Ne kemi bërë të gjithë përpjekjet që të ishte një festë e përbashkët. Në festën e organizuar nga qeveria kishte një vend të posacëm për përfaqësuesit e opozitës për t’iu drejtuar opinionit publik. Nuk është cilësuar statusi një trofe, por konsiderohet një përgjegjësi më e lartë.

Rudina Xhunga: Edhe Barroso foli sot për polarizimin politik….

Ministri Bushati: Nuk është dicka e re. Mjafton të shohim sjelljen e politikës në momente të caktuara, qoftë edhe sjellja e opozitës në periudhën e fundit, stimulimi i disa veprimeve që ishin qartazi artificiale që shkonin kundër interesit të përbashkët. Është e rëndësishme të kuptojmë që ka ardhur koha të krijojmë një linjë të gjelbër për procesin e integrimit.

Rudina Xhunga: Cili është roli i Presidentit në marrëdhënien me Ministrinë e Jashtme?

Ministri Bushati: Jam habitur kur kam marrë vesh që Presidenti do realizonte një ceremoni për statusin. U habita sepse në 10 muaj e kam takuar dhe kam kërkuar takim zyrtar 3 herë dhe në asnjë rast nuk jam përballur me ndonjë kërkesë nga ana e tij në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, për të diskutuar për cështje të caktuara dhe rakordim të qendrimeve.

Rudina Xhunga: I keni kërkuar ndihmë dhe nuk ju është ofruar?

Ministri Bushati: Jo! Kam kërkuar takime për cështje të caktuara. Natyrshëm lind nevoja e komunikimit mes Presidentit dhe Ministrit të Jashtëm sepse është e imponuar nga Kushtetuta. Në asnjë rast presidenti nuk ka kërkuar informacion për integrimin, për të rakorduar veprimet. Nuk është se e kam përjetuar keq këtë situatë. Do të preferoja të kishim një realitet tjetër, por pritshmëritë e mia kanë qenë këto. E kam kuptuar gjatë kësaj periudhe që ai ka zgjedhur të jetë bujar me Partinë Demokratike, por jo me atë që lidhet me integrimin.

Rudina Xhunga: Ambasadorët janë një çarje institucionale, është i bllokuar si proces?

Ministri Bushati: Normalisht është një proces që po e trajtojmë me qetësinë e duhur. Ka ambasadorë që janë jashtë cdo limit kohor dhe vazhdojnë të shërbejnë në detyrë, ka ambasadorë që kanë shkelur ligjin duke u përfshirë në fushata politike dhe janë ende në detyrë, ka ambasadorë që kanë mbushur moshën e pensionit. I jam drejtuar për këto Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës.

Rudina Xhunga: Preket përfaqësimi i Shqipërisë nga këto?

Ministri Bushati: Natyrisht që preket. Por mendoj që është e domosdoshme që rrobat e palara të mos i nxjerrim në publik dhe kur flas në publik tek rasti i shërbimit të jashtëm situata është akoma më delikate.

Rudina Xhunga: Ambasadorët që ju kërkoni të largohen ju binden ju apo veprojnë në varësi të Presidentit?

Ministri Bushati: Nuk është cështje nëse i binden ose jo Ministrisë. Unë them që personat kanë qenë në shkelje të ligjit të shërbimit të jashtëm. Mund t’u them që personat që përgjithësisht nuk kanë operuar në kuadrin ligjor, janë të gatshëm t’i shërbejnë pushtetit të radhës. E kemi të vështirë të bëjmë pakt me këtë kategori personash. Duam shërbim të jashtëm dhe po punojmë që të kemi një shërbim të jashtëm që të ndërveprojë me shërbimet e jashtme në vendet përkatëse. Kemi marrë një zotim për të hapur një kapitull të ri të shërbimit të jashtëm.

Rudina Xhunga: Në ç’pikë ndodheni për marrëveshjen e ujërave me Greqinë? Rakordoheni me Presidentin,dhe ç’qendrim keni?

Ministri Bushati: Sa i përket rakordimit të marrëdhënieve unë pak a shumë fola. Në nivelin e ekzekutivit të gjitha qendrimet kolaudohen pranë Ministrisë së Jashtme, po ashtu edhe me Kuvendin e Republikës së Shqiprëisë. Do të ishte mirë që pjesë e kësaj praktike të ishte edhe institucioni i Presidentit dhe në lidhje me marrëveshjen ka dy pista; së pari kemi bërë një kërkim të thellë mbi problematikat kryesore që kanë shoqëruar procesin e negocimit që kanë shoqëruar marrëveshjen e detit me greqinë. Për këtë cështje kur jam pyetur e kam thënë qartë që kemi nxjerrë mësimet tona dhe nga ana tjetër, kur jam pyetur për përgjegjësi të aluduara penale, kam thënë që kjo është një cështje që i takon prokurorisë dhe në këtë rasti i kam dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm për të verfikuar nëse ka vepër penale apo jo dhe përgjigjja që na ka ardhur është që duhet ta bëjë Ministria e Jashtme hetimin. Ajo marrëveshje është në kundërshtim me Kushtetutën, me normat ndërkombëtare. Me italinë janë dashur 7 vjet bisedime para 1990, ndërsa po të shohën bisedimet me Greqinë ka patur vetëm 3 raunde.

Rudina Xhunga: Do të ketë raund të ri bisedimesh?

Ministri Bushati: Është në interesin e Shqipërisë dhe të Greqisë që të përcaktohet vija kufitare. Marrëveshja e detit nuk është thjeshtë një cështje e fqinjësisë, por është një cështje që ndikon në zhvillime ekonomike në rajon sepse bëhet fjalë për pasuri detare dhe nënujore pjesë e strategjisë së BE-së për Adriatikun dhe Jonin.

Rudina Xhunga: Kur hapen negociatat?

Ministri Bushati: Shqipëria është futur në një proces pa kthim ku standardet dhe përmbushja e tyre do të kërkojë më shumë mund. Transformimi do të jetë më i madh dhe vëzhgimi i BE-së do të jetë akoma më i imët. Qeveria vendoset në vështirësi për shkak të alternativave qeverisëse dhe jo nga hapja e librit të shtëpisë së rivalit politik në Kuvend. Statusi është stabilizues për ne sepse çon në qoshe fenomenet dhe impulset negative të politikës shqiptare.

Rudina Xhunga: Deri më tani ambasadorët në Prishtinë e Shkup shkojnë atje për të mbyllur karrierën, cili do të jetë roli në rajon?

Ministri Bushati: Duhet të reflektojmë në rajon tek shqiptarët në Maqedoni, sepse Maqedonia është në një stanjacion në rrugën e saj drejt integrimit dhe shqiptarët atje mund të luajnë një rol jo vetëm për zhbllokimin e kësaj situate, por edhe për çuarjen përpara të proceseve të integrimit. Jam i kënaqur me punën që kanë nisur të bëjnë ambasadat tona në rajon. Kemi një prezencë aktive në Kosovë. Është një cështje mentaliteti dhe hap pas hapi do të adresohen elementet.

Rudina Xhunga: Vizita e Kryeministri në Serbi, do të kërkonte shpjegime të duhura në Kosovë? Kur do të nisë shpjegimi i rolit të Shqipërisë në rajon?

Ministri Bushati: Nuk ka patur një vizitë zyrtare të nivelit të Kryeministrit që nga ‘46. Ky është një vit i rëndësishëm për Europën, përkon me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, përkon me 70-vjetorin e zbarkimit të aleatëve në Normandi dhe të rrëzimit të diktaturave. Përkon me një set anëtarësimesh të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në NATO.

Rudina Xhunga: Qeveria e re në Kosovë…

Ministri Bushati: Është në interesin tonë që në Kosovë rruga drejt qeverisë të ecë sa më shpejt që vendi të ecë tek reformat për të arritur te liberalizimi i vizave. Kosova është në një fazë vendimtare për t’u përfshirë në reformën kushtetuese dhe ligjore. Këto për ne janë vendimtare se sa mënyra dhe ngjyra e koalicionit që do të qeverisë Kosovën.

Në pjesën e tretë Ministri Bushati foli për detyrimet dhe përfitimet që mbërrijnë nga marrja e statusit. Ai tha se asgjë nuk ndryshon sa i përket detyrimeve, ndërsa ritheksoi edhe njëherë se lëvizja aktuale pa viza do të vazhdojë të qendrojë në fuqi kështu sic është, pa asnjë ndryshim dhe e kushtëzuar në afate kohore.

Sa për detyrimet Bushati përmendi kriteret e përmendura edhe në raportin e Komisionit Europian, sic janë reforma në drejtësi, reforma administrativo-territoriale, reforma në administratën publike dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar shto këtu edhe ndërveprimin që kërkohet më me shumë ngulm.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip”

Top Channel