Ukrainë, lirohet edhe grupi i dytë i OSBE

29/06/2014 00:00

Rebelët pro-rusë në Ukrainën Lindore kanë lëshuar edhe 4 monitoruesit e mbetur europianë, të cilët mbaheshin prej tyre prej kohësh. Vëzhguesit e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) u ndaluan muajin e kaluar.

Në fillim të kësaj jave u lirua një tjetër ekip i OSBE-së, lëvizje këto që vijnë pas një armëpushimi të lëkundshëm mes forcave qeveritare dhe rebelëve.

Presidenti Petro Poroshenko e zgjati me 3 ditë paqen 1-javore, që skadonte të premten, por përplasjet e reja nuk kanë munguar, duke e vendosur armëpushimin në dyshim.

Nga rebelët e armatosur në Lindje të Ukrainës mbaheshin gjithsej 2 ekipe vëzhguesish, me një total prej 8 monitoruesish, të cilët u kapën muajin e kaluar. Katër prej tyre, të marrë peng në rajonin e Donjeckut më 26 Maj, u liruan gjatë orëve të para të së premtes.

Pamjet televizive të një kanali rus treguan 3 burra dhe 1 grua të shtrëngonin duart me përfaqësuesit e OSBE-së, si dhe të hynin në një hotel në qytetin e Donjeckut.

Në një deklaratë, lideri i OSBE-së Didier Burkhalter tha se ishte lehtësuar teksa dëgjonte për lirimin e grupit dhe se OSBE është e gatshme të ndihmojë në implementimin e planit të paqes të ofruar nga presidenti Poroshenko.

Zëdhënësi i OSBE-së, Michael Bociurkiw, tha se “ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, si dhe me moral të lartë”.

Lirimi i të gjithë vëzhguesve ka qenë një kërkesë parësore e bërë nga Bashkimi Europian, në deklaratat e tyre politike mbi Ukrainën, të premten. Lideri i kryengritësve, Alexander Borodai, tha se “tashmë i kemi përmbushur detyrimet tona”.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin kishte bërë thirrje publike për lirimin e të gjithë pengjeve, bazuar mbi termat e armëpushimit të përkohshëm. Ai bëri gjithashtu thirrje për një armëpushim afatgjatë, në mënyrë që t’u jepet kohë palëve për negociata të mëtejshme, duke nxitur Poroshenko-n të vazhdojë në “rrugën e paqes”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta