Indi, sërish shembje ndërtese, dhjetra të zhdukur

29/06/2014 00:00

Më shumë se 100 persona besohen të kenë mbetur nën rrënoja, pas shembjes së një ndërtese në Indinë jugore, ka bërë të ditur një zyrtar indian. Të paktën 9 persona kanë vdekur dhe dhjetra të tjerë janë plagosur, kur ndërtesa 12-katëshe, e cila ishte ende në konstruksion, u shemb në Chennai, pas reshjeve të dendura të së shtunës.

Disa orë më parë, një ndërtesë 4-katëshe u shemb gjithashtu në kryeqytetin Delhi, duke vrarë 10 njerëz mes të cilëve edhe 5 fëmijë. India ka përjetuar disa shembje ndërtesash në fundi, teksa fajësohen për këto tragjedi siguria e dobët dhe materialet jashtë standardeve.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke u përpjekur me eskavatorë dhe lopata për të gjetur të mbijetuar, nën rrënojat e ndërtesës në Chennai, të shtetit Tamil Nadu.

“Ka pasur rreth 132 punonjës, të cilët mendohen të jenë nën rrënoja dhe të paktën 100 prej tyre u përkasin provincës jugore të Andhra Pradeshit”, ka thënë Rekha Rani për agjencinë e lajmeve Reuters, një bashkëndërtues i godinës.

Të paktën 26 persona janë shpëtuar deri tani. Ende nuk është e qartë nëse Rani ka folur përpara se të nisnin kërkimet. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet, si dhe ka bërë të ditur se duhen lëvizur pjesë të mëdha të rrënojave, në mënyrë që të kërkohet për të tjerë të mbijetuar. Edhe aksesi drejt godinës në fjalë është i vështirë, për shkak të rrugëve shumë të ngushta që të çonin për tek ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB