Pas promovimit të dokumentarit për akademikun kosovar Rexhep Qosja, gazetarja Rudina Xhunga ka promovuar në Strugë librin e saj “12 porositë e Arbën Xhaferit”, kushtuar politikanit shqiptar nga Maqedonia.

Autorja e librit tha se Arbën Xhaferi fliste gjithmonë në emër të shqiptarisë, ndaj porositë dhe vizioni i tij mund të jenë një udhërrëfyes shumë i mirë për të gjithë shqiptarët.

“Jam shumë e emocionuar që po sjell ‘12 porositë e Arbën Xhaferit’ për herë të parë në Maqedoni, në tokën e tij. Mes shumë intervistave zgjodha 12, të cilat i quajta ’12 porositë e Arbën Xhaferit’, sepse të tilla janë. Janë porosi, vështrime përtej, sepse ai shikonte përtej një partie, një njeriu, një individi. Shikonte te shqiptarizmi, te mundëia për ta ndryshuar këtë vend”, u shpreh gazetarja Rudina Xhunga.

Kryetari i Komunës së Strugës, Zijadin Sela, i cili organizoi promovimin e këtij libri, tha se po përkujdeset që ‘12 porositë e Arbën Xhaferit’ të përkthehet edhe në gjuhën angleze, me qëllim që mendimet dhe vizioni i tij të kuptohen edhe nga të tjerët.

“Kam marrë iniciativë që ky libër të përkthehet edhe në gjuhën angleze, duke ia dhuruar atyre njerëzve, që unë mendoj se duhet të njohin Arbën Xhaferin. Nëpërmjet tij do të njohin një burrë të mençur shqiptar, që deri tani nuk besoj se ka shumë të tillë. Do të njohin edhe esencën e problemeve, me të cilat përballen shqiptarët këtu në Maqedoni, pse jo edhe në Shqipëri e Kosovë. Rudina Xhunga e do fjalën e Xhaferit, i do shqiptarët, kudo që jetojnë ata, ndaj dhe e pranoi me kënaqësi propozimin tim. Falemnderit edhe njëherë”, deklaroi Zijadin Sela, kreu i Komunës së Strugës.

Në promovimin e këtij libri, përveç struganëve që ishin të shumtë në numër, kanë marrë pjesë qytetarë, intelektualë dhe politikanë, nga të gjitha vendbanimet shqiptare në Maqedoni, por edhe nga Shqipëria.

“Vet prania kaq e madhe juaj në këtë sallë, tregon që shqiptarët në Maqedoni por edhe në vise të tjera, të moshave, të profileve dhe shtresave të ndryshme, kanë konsideratë për mendimet e Arbën Xhaferit”, tha profesor Agim Vinca.

Gjatë promovimit të librit për figurën e Arbën Xhaferit folën shumë prej të pranishmëve, mes të cilëve kishte familjarë e miq të politikanit të ndjerë shqiptar nga Maqedonia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA