
Personi i dyshuar si udhëheqësi i sulmeve ndaj konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë është shfaqur nën masa të rrepta sigurie në një gjykatë federale amerikane.
Ahmet Abu Khattala u arrestua nga forcat amerikane në Bengazi më 18 qershor. Ai vazhdimisht i ka mohuar akuzat ndaj tij dhe ka thënë se ndodhej në Bengazi gjatë sulmit, por nuk kishte marrë pjesë në të.
Ambasadori amerikan në Libi, Chris Stevens dhe tre anëtarë të tjerë të personelit të selisë diplomatike amerikane mbetën të vrarë në sulmin e vitit 2012.
“Ahmed Abu khatallah ndodhet i arrestuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe akuzohet për vrasjen e një personi në një pronë të Shteteve të Bashkuara, sulm me armë zjarri dhe për mbështetje të terrorizmit”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Bill Miller.
Mediat amerikane raportuan se Khattala u dërgua në gjykatën e Uashingtonit nga një anije luftarake ku mbahej i burgosur që nga kapja e tij dy javë më parë.
Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar atë si një “figurë kyçe”, në sulmin ndaj konsullatës. Më herët gjatë muajit presidenti Obama vlerësoi operacionin e forcave speciale që çoi në kapjen e tij.
“Kur sulmohen amerikanët, s’ka rëndësi se sa kohë do të duhet, ne do t’i gjejmë përgjegjësit dhe do t’i çojmë para drejtësisë”, deklaroi Obama.
Megjithatë, si presidenti ashtu edhe sekretarja e atëhershme e Shtetit, Hillary Clinton u përballën me kritika të ashpra se nuk bënë sa duhet për të parandaluar sulmin.
Top Channel