Mijëra qytetarë serbë të Kosovës, por edhe serbë nga Serbia po mblidhen në Fushë-Kosovë për të përkujtuar Vidovdanin, ose atë që njihet ndryshe si Beteja e Kosovës.

I pranishëm në Gazimestan do të jetë edhe Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç. Nikoliç do të marrë pjesë edhe në zbulimin e përmendores së Millosh Obiliçit në Graçanicë, ku është parashikuar edhe një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Autoritetet e Prishtinës kanë lëshuar një leje të posaçme për vizitën e Nikoliç, ndërkohë që Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë përgjatë rrugëve nga do të kalojë eskorta e kreut të Serbisë.

Prani e madhe e forcave policore të Policisë së Kosovës dhe EULEX vërehet edhe në rrugët që të çojnë në Gazimestan dhe në zonat përreth. Në një komunikatë të shpërndarë për mediat, Policia e Kosovës njofton se ka marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet dhe fton qytetarët të shmangin provokimet.

Beteja e Fushë-Kosovës është zhvilluar në vitin 1389 mes një koalicioni të përbashkët ballkanas të përbërë nga rumunë, shqiptarë e serbë kundër fuqisë gjithnjë e në rritje të Perandorisë Osmane. Beteja përfundoi me fitoren e Perandorisë Osmane dhe i hapi rrugë pushtimeve të reja të Sulltan Bajazitit I.

Serbët e përkujtojnë çdo vit këtë betejë më 28 qershor me ceremoni që zhvillohen në Gazimestan dhe Graçanicë.

Pikërisht në një ceremoni të tillë përkujtimore, më 28 qershor të 1989 Sllobodan Millosheviç do të mbante fjalimin e tij urryes ndaj popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, një fjalim i cilësuar si paralajmërimi që solli luftërat e njëpasnjëshme në Ballkan dhe shembjen e ish-Jugosllavisë.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA