Qindra serbë që ishin mbledhur nga qytete të ndryshme të Kosovës në Gazimestan të Obiliqit, e kanë pritur presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç me vërshëllima, duke e quajtur atë tradhëtar.

Ndërsa Nikoliç u përpoq me deklarata nacionaliste t’i qetësonte të pakënaqurit, ata ia ndërprenë fjalimin dhe hodhën edhe një mjet piroteknik për të shprehur hidhërimin e tyre me shtetin serb.

Serbët e Kosovës e akuzojnë klasën politike serbe se i ka tradhtuar, duke i lënë nën qeverisjen e Prishtinës zyrtare. Këto reagime e nervozuan kreun e shtetit serb, i cili u tha bashkëkombasve të vetë në Kosovë se, as ata vetë nuk mund të bëjnë diçka më shumë.

“Unë kam mundur të jem sot në Nju Jork, në Pekin apo kudo tjetër pa patur nevojë të bëj kërkesa. Për të ardhur këtu, të qëndroj pranë jush më është dashur të bëj kërkesë. Nuk e di a kam bërë mirë apo jo. Serbia ka vendosur të bisedojë dhe do të bisedojë deri në fund me të gjithë”, tha Nikoliç.

Nikoliç u shpreh se rrugës prej nga kishte ardhur në Kosovë kishte parë shqiptarët duke ndërtuar vendin dhe duke punuar tokat, por ai tha se shqiptarët duhet ta dinë se po punojnë dhe ndërtojnë në tokën serbe.

Në Gazimestan, ku serbët çdo vit festojnë Vidovdanin, që njihet ndryshe si Beteja e Kosovës, të shtunën foli edhe patriarku serb Irinej, i cili bëri provokimin e radhës ndaj shqiptarëve. Ai krahasoi heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu me një figurë mitologjike, Millosh Kopiliç.

“Ne duhet të jetojmë bashkë, në paqe, siç kanë jetuar të gjithë heronjtë tanë më përpara. Edhe Gjergj Kastriotin Skenderbeu e ka bashkuar me Millosh Kopiliçin lufta e përbashkët ndaj padrejtësive ndaj popujve tanë”, u shpreh Irinej.

Pas kësaj ngjarjeje në Gazimestan, kreu i shtetit serb qëndroi në manastirin e Graçanicës, ndërsa mori pjesë edhe në përurimin e përmendores së Millosh Kopiliçit, i cili në fakt as nuk dihet çfarë prejardhje ka pasur.

Edhe në Graçanicë, Nikoliç u përpoq të tregonte se serbët janë paqësorë, duke deklaruar se në urën mbi lumin Ibër nuk ka barrikadë, por një park të paqes.

“Për çfarë barrikade po flisni? Ah, për parkun tek ura në Mitrovicë. Ne presim që edhe shqiptarët të përgjigjen me paqe”, tha Nikoliç. Për shkak të pakënaqësive që u shprehën ndaj tij nga serbët e Kosovës, policë shqiptarë të njësive speciale u detyruan ta ruanin atë gjatë gjithë kohës së qëndrimit në territorin kosovar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA