
Një tribunal i Selisë së Shenjtë ka dënuar një ish-të dërguar të Papatit në Republikën Domenikane, me akuzën e abuzimit seksual, si dhe i mohoi atij të drejtën e priftërimit.
Jozef Wesolowski, me origjinë nga Polonia, është thirrur nga Kisha gjatë vitit të kaluar, për shkak të akuzave të hedhura ndaj tij si abuzues me djem të mitur në Santo Domingo. Wesolowski është një nga krerët më të lartë të Vatikanit, i cili është hetuar për abuzime seksuale.
Papa Françesku ka urdhëruar Kishën të çrrënjosë dhe të ndëshkojë abuzimin seksual të priftërinjve.
Wesolowski ka shërbyer si i dërguar në Republikën Domenikane për 5 vjet. Ai mori urdhrin si një prift dhe peshkop nga bashkëpatrioti i tij, Papa Gjon Pali i II.
Ai ka 2 muaj në dispozicion për të apeluar kundër dënimit të tij. Si qytetar i Vatikanit, ai përballet gjithashtu edhe me akuza kriminale, të cilat do të mund të çonin në dënimin e tij me burgim.
Autoritetet në Republikën Domenikane kanë hapur gjithashtu një hetim ndaj Wesolowski-t, por nuk e kanë akuzuar deri më tani atë.
Papa Françesku forcoi gjatë vitit të kaluar ligjet e Vatikanit kundër abuzimit me të mitur. Ai u angazhua se do të luftonte të gjithë klerikët dhe të punësuarit e Kishës, nëse këta do të ngacmonin seksualisht të miturit, duke i krahasuar veprimet e tyre si “satanizëm masiv”.
Top Channel